Thaçi priti sot Sekretarin e Shtetit në MPJ të Austrisë, Waldner
Prishtinë, 9 nëntor -Temë kryesore e takimit të kryeministrit Thaçi me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner, ishin zhvillimet e fundit në Kosovë, bashkëpunimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Austrisë dhe përmbushja e agjendës evropiane të Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takim theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore.
Në këtë angazhim jetik për funksionimin e plotë të shtetit të Kosovës, ne kemi edhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, tha në vazhdim kryeministri Thaçi dhe potencoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës që edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës të funksionojë rendi dhe ligji, jeta demokratike dhe të hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale të qytetarëve tanë në veri tha z.Thaçi.
Në takim me diplomatin austriak, Waldner, kryeministri Thaçi ritheksoi vizionin dhe angazhimin konsistent të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e plotë të standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit. Në këtë vazhdë, kryeministri Thaçi përmendi edhe fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave në fund të këtij viti, që është rezultat i punës së vazhdueshme të institucioneve kosovare në përmbushjen e kritereve lidhur me këtë proces.
Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë që drejton për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Austrisë i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të forcohet edhe më tej në fushat e interesit të përbashkët.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner në takimin me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi lartë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Austrisë dhe i garantoi kryeministrit Thaçi vazhdimin e mbështetjes austriake për perspektivën evropiane të Kosovës.