Thaçi priti ministrin e Arsimit të Turqisë
Prishtinë, 19 gusht - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim ministrin e Arsimit të Turqisë, Ömer Dinçer, me të cilin ka zhvilluar një takim miqësor. Temë e bisedës ka qenë thellimi i bashkëpunimit në mes të dy vendeve në të gjitha fushat, me theks të veçantë në fushën e arsimit.
Kryeministri Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka falënderuar ministrin turk të arsimit, Dinçer për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Kosovës, në të gjitha fazat.
Kryeministri Thaçi ka theksuar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë është i shkëlqyer dhe ka shprehur se ky bashkëpunim vetëm sa do të thellohet në të gjitha fushat, posaçërisht në fushën e arsimit dhe shkencës.
Nga ana e tij, Ministri i Arsimit i Turqisë, Ömer Dinçer, ka falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt dhe ka theksuar gatishmërinë e Qeverisë së Turqisë për fuqizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e arsimit.