Thaçi pritet te inaugurohet pa opozitën
Në këtë ceremoni nuk do të marrë pjesë opozita, e cila nuk ka ndonjë qëndrim nëse do të rrijë e qetë, apo të protestojë sikurse me rastin e zgjedhjes së presidentit.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, më 8 prill do të marrë zyrtarisht postin e presidentit të Shtetit në një ceremoni të veçantë që pritet të zhvillohet në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, por pa prezencën e krahut opozitar, shkruan Zëri.
Sikurse zgjedhja e tij për president të vendit që u bë pa praninë e opozitës, edhe inaugurimi i tij do të zhvillohet në të njëjtën mënyrë, por tani nuk dihet nëse opozita do të protestojë apo të rrijë e qetë.
Derisa tri partitë opozitare nuk kanë qëndrim se si do ta presin ceremoninë e presidentit të ri, nga zyra e Hashim Thaçit konsiderojnë se për të premten e dytë të prillit, (08.04.2016) janë ftuar personalitete e burrështetas nga shumë shtete.
Zyra për Informim e presidentes në largim, Atifete Jahjaga, ka konfirmuar për Zërin se ceremonia e inaugurimit do të mbahet në sheshin Skënderbeu.
Ceremonia do të mbahet më datën 8 prill 2016 në Sheshin Skënderbeu. Për më shumë hollësi rreth ceremonisë drejtojuni kabinetit të presidentit të zgjedhur, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim në Presidencë.