16 Janar 2025

Thaçi pritet nga kryeministri dhe presidenti i Bullgarisë

Sofie, 15 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar vizitën e tij zyrtare në Bullgari me takimin që ka zhvilluar sot në Sofje me homologun e tij, Kryeministrin e Bullgarisë, Marin Raykov, si dhe është pritur edhe nga presidenti i Bullgarisë, Rossen Plevneleiev.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Bullgarisë, Raykov gjatë takimit të sotëm kanë vlerësuar lartë nivelin e marrëdhënieve mes dy shteteve, si dhe kanë diskutuar për thellimin e këtyre marrëdhënieve, si në rrafshin politik, ashtu edhe në rrafshin ekonomik.

Kryeministrit Thaçi e ka falënderuar Kryeministrin Raykov për gjithë ndihmën që institucionet shtetërore të Bullgarisë i kanë ofruar Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, si dhe ka shprehur vullnetin  e institucioneve të Republikës së Kosovës për vazhdimin e kontributit pozitiv në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal.

Gjatë takimit me Kryeministrin Thaçi, Kryeministri i Bullgarisë, Marin Raykov ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e përkrahjes së Republikës së Bullgarisë për zhvillimet në Republikën e Kosovës, sidomos përkrahjen për procesin e integrimit evropian, si dhe ka ofruar asistencën bullgare, sa i përket avancimit të mëtejmë të këtij procesi.

Kryeministrit Raykov në takimin me Kryeministrin Thaçi ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe ka vlerësuar lartë kontributin e institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë proces.

Në këtë kuadër, të dy kryeministrat janë pajtuar që në të ardhmen e afërt të nënshkruhet një memorandum i bashkëpunimit lidhur me mbështetjen në kuadër të procesit të integrimit evropian.

“Bashkimi Evropian mbështet perspektivën evropiane të Kosovës. Presim që së shpejti edhe 5 vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës. Këto vende e kanë mbështetur dhe përkrahur planin e presidentit Ahtisaari, mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës. Andaj, presim që këto vende të lëvizin shumë shpejt drejt njohjes së Kosovës, sepse nuk kanë më asnjë arsye të zvarrisin këtë proces. Po këto vende e mbështesin fuqishëm agjendën tonë evropiane. Kosova po lëvizë shumë shpejt drejt Bashkimit Evropian, komunitetet në Kosovë janë duke u respektuar, ato kanë të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj. Kosova po bën reforma në ekonomi, në shëndetësi, në arsim dhe në të gjitha fushat“ – theksoi Kryeministri Thaçi, pas takimit.

Ndërsa, Kryeministri i Bullgarisë, Marin Rajkov pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi tha se Bullgaria do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane.

Z.Rajkov tha se me kryeministrin Thaçi kanë diskuatuar rreth forcimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në të gjitha fushat, të cilat janë me interes për të dyja vendet.

“Ne do ta mbështesim fuqishëm Kosovën në rrugën e saj evropiane. Po ashtu shpresojmë që Kosova në qershor të nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, e cila i hapë rrugë Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Ne u pajtuam që të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi, qëllimi i së cilës është mbështetja për agjendën evropiane të Kosovës“ – tha z.Rajkov.

Kryeministri i Bullgarisë, Marin Rajkov duke folur rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, tha se me këtë marrëveshje u sigurohet e ardhmja evropiane të dyja vendeve.

“Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ju siguron të dyja shteteve rrugën e qartë dhe të sigurt në Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosove, por edhe në rajon” – Kryeministri i Bullgarisë, Marin Rajkov, pas takimit me Kryeministrin Thaçi.

Po sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur në një takim të veçantë nga Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev.

Dy bashkëbiseduesit i kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Bullgarisë dhe kanë shprehur gatishmërinë që këto marrëdhënie të thellohen në fushat me interes të përbashkët.

Kryeministri Thaçi në takimin me presidentin Plavneliev ka marrë premtimin për mbështetjen e fuqishme të Bullgarisë për Kosovën në fushën e integrimeve evropiane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)