Thaçi pret në takim lamtumirës ambasadorin Blomeyer
Prishtinë, 9 korrik - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Peter Blomeyer, i cili e përfundon mandatin e tij në Kosovë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin për bashkëpunimin e mirë të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë, dhe për mbështetjen që qeveria gjermane ka ofruar për proceset demokratike në Kosovë dhe në ndërtimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës.
Duke konsideruar Gjermanin si një shtet mik të Kosovës dhe njërin nga partnerët strategjik të saj, kryeministri ka shprehur angazhimin dhe përkushtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin në mes të dyja vendeve.
Ambasadori gjerman është falënderuar për mikpritjen dhe bashkëpunimin e mirë me institucionet dhe Qeverinë e Kosovës dhe ka theksuar gatishmërinë e Gjermanisë për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në proceset e ardhshme të shtetëndërtimit dhe të agjendës së integrimeve evropiane të Republikës së Kosovës.