Thaçi premton ngritje të pagave edhe për policinë
Prishtinë, 30 nëntor - Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi premtoi ngritje të pagave edhe për pjestarët e policisë për 40 përqind për vitin e ardhshëm.
Thaçi ka thënë se kabineti i ri do të ketë ministra që implementojnë vizionin e tij euroatlantik.
"Do të jetë kabinet i Kosovës evropiane, kabinet i mandatit euroatlantik, do të jetë kabinet i reformave demokratike, kabinet i avancimit dhe fuqizimit të konsolidimit të shtetit të Kosovës me ministra të denjë, me ministra shumë të përgjegjshëm, me ministra që e implementojnë vizionin tim euroatlantik për Republikën e Kosovës", ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se përderisa në mandatin që është në përfundim i ka kushtuar rëndësi investimeve kapitale, tani radhën e ka ngritja e mirëqenies sociale të qytetarëve dhe ngritja e pagave të punëtorëve.
"Siç e dini ne kemi bërë shumë investime kapitale në tri vjetët e kaluara, tani jam i interesuar dhe i zotuar që të rris mirëqenien sociale të qytetarëve. Natyrisht në kuadër të kësaj kjo nënkupton edhe rritjen e përgjegjësive për pagat e gjithë të punësuarve në Republikën e Kosovës dhe në kuadër të kësaj është edhe marrëveshja me Sindikatën e Policisë së Kosovës për rritjen e pagave për periudhën e ardhshme 4 vjeçare, pra 2011-2014 prej 100 për qind", ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi ka theksuar se me këtë marrëveshje parashihet që vitin e ardhshëm të ketë një ngritje prej 40 për qind.
Ngritja e pagës së policëve, sipas Kamberit, do të jetë një fuqizim i pagave bazë të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.