Thaçi: Policia ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore
Prishtinë, 16 janar - Në një deklaratë për shtyp e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë keqardhjen e thellë për protestën e dhunshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
\"Kosova është shtet demokratik dhe e ritheksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Kjo e drejtë nuk do të cenohet nga askush asnjëherë. Por, unë me vendosmëri e riktheksoj se askush nuk ka të drejtë që ta keqpërdor të drejtën e protestës për të venë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjetime të shtetit tonë\", ka thënë kryeministri Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës sipas tij konsideron se policia e Kosovës, si autoritet kompetent për zbatimin e rëndit dhe ligjit, ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore sipas standrdeve dhe procedurave operacionale për të mbajtur situatën e qetë dhe nënkontroll gjatë protestës.
Për më tepër siç ka theksuar kryeministri policia e Kosovës ka bërë publik me kohë gjithë planin e saj operativ lidhur me menaxhimin e protestës dhe të njëjtin plan paraprakisht ia ka sqaruar edhe atyre që kanë organizuar protestën.
\"Për fat të keq, protestuesit kanë dështuar që të përmbahen nga bllokimi i rrugëve, dhe, për më tepër, nga përdorimi i dhunës. Kjo ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e policisë në zbatim të rëndit dhe të ligjit. Si rrjedhojë, policia e Kosovës ka përdorur mjetet e lejuara sipas ligjit dhe standardeve më demokratike për shpërndarjen e protestuesve dhe zhbllokimin e rrugëve\", është shprehur ai.
Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor sipa stij do të bëjnë analizën e detajuar lidhur me këtë protestë dhe do japin sqarime profesionale, të cilat duhet të saktësojnë qartë se a ka pasur tejkalim të përdorimit të mjeteve dhe metodave për zbatimin e operacionit për garantimin e lëvizjes së lirë gjatë protestës.
Në rast se konstatohet se ka pasur shmangie nga respektimi i procedurave, keqpërdorim të autorizimeve, përdorim të tepruar të forcës policore, atëherë ka theksuar Thaçi, organet e pavarura dhe kompetente do të marrin masa përkatëse disiplinore në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
\"Si kryeministër, e kam për detyrë kushtetuese që të mbështes sundimin e rendit dhe ligjit dhe me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time për profesionalizimin e treguar nga policia e Kosovës, e cila edhe pse e përballur me forcën e dhunës së përdorur nga protestuesit, ka mbajtur nën kontroll situatën dhe ka shmangur çdo eskalim të situatës, që do të mund të ishte me pasoja katastrofale.\"