Thaçi: Platforma për bisedime është Kushtetuta
Prishtinë, 4 nëntor - Kryeministri, Hashim Thaçi ka theksuar se platforma e tij për bisedime është Kushtetuta e Kosovës, Rezoluta e Kuvendit dhe Deklarata e Pavarësisë.
Platforma ime për bisedime me Serbinë do të jetë Kushtetuta, Rezoluta e Kuvendit dhe Deklarata e Pavarësisë, ka thënë Kryeministri, Hashim Thaçi në Gjilan.
Sipas tij, e rëndësishme është që dialogu është përkrahur edhe nga spektri i gjerë politikë ku edhe është miratuar rezoluta në Kuvend. Ai ka thënë se dialogu dhe bisedimet janë çështje madhore dhe tejkalojnë konceptet partiake.
Dialogu po mbështetet fuqishëm edhe nga SHBA-ja dhe vendet evropiane, derisa platforma ime dhe e ekipit kosovar në bisedime do të jetë gjithmonë Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Rezoluta e Kuvendit dhe Deklarata e pavarësisë, ka deklaruar kryeministri Thaçi.
Thaçi ka deklaruar se megjithatë urgjente mbetet implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani me Serbinë, siç janë integrimi i kufijve, largimi i strukturave paralele, identifikimi i të gjithë të pagjeturve.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me bisedimet me Serbinë, kryeministri Thaçi ka deklaruar se për këto bisedime është informuar Parlamenti i Kosovës, por edhe gjithë spektri politik Kosovar.
Është me rëndësi që është ndërtuar një konsensus i gjerë i spektrit politik në Kosovë e kemi një mbështetje të gjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për këto bisedime.
Platforma ime e bisedimeve do të jetë, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, rezoluta e Kuvendit të Kosovës. Prandaj ne do të punojmë për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë në gjithë vendin.
Si nevojë urgjente është fillimi apo vazhdimi i bisedimeve për të gjitha marrëveshjet që i kemi arritur në Bruksel, siç është menaxhimi i integruar i kufijve, pastaj largimi i plotë i të gjitha strukturave paralele të sigurisë dhe drejtësisë që financohen dhe mbështeten nga Beogradi, identifikimi i personave të zhdukur gjatë luftës etj.
Ky proces do të mbyllet me integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO, por edhe me njohjen reciproke të Kosovës nga ana e Serbisë.
Ne punojmë bashkërisht me opozitën dhe po fokusohemi për një lëvizje përpara të proceseve. Jemi të përfshirë këtu edhe me opozitën, pra me LDK dhe me AAK.
Ne kurdoherë që kemi qenë të bashkuar dhe kemi vepruar si të bashkuar kemi dalë të suksesshëm.
Edhe tani në këtë proces janë të përfshirë spektri politik më i gjerë i mundshëm dhe sigurisht se kjo çështje tejkalon interesat e politikës ditore, tejkalon interesat partiake, është çështje madhore, është interesi shtetëror dhe do të veprojmë dhe punojmë bashkërisht dhe sukseset sigurisht që do të jenë të prekshme.