Thaçi: Përjashtohet autonomia për serbët
Prishtinë, 16 janar - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përjashtuar mundësinë që serbët në pjesën veriore të Kosovës të kenë autonomi, në këmbim për mbështetjen e Serbisë për karrige në Kombet e Bashkuara.
Këto komente u bënë një ditë pasi kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, sugjeroi se vendi i tij do të mund ta mbështeste anëtarësimin e Kosovës në OKB, nëse pakicës serbe i sigurohet autonomia.
Në intervistën për agjencinë Associated Press, zoti Thaçi e ka mirëpritur ndryshimin e qëndrimit të Serbisë, por theksoi se anëtarësimi në OKB nuk është çështje e vullnetit të Beogradit.
Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq takohen nesër në Bruksel, në kuadër të rundit të ri të dialogut të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.