20 Janar 2025

Thaçi përgëzon Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama

Prishtinë, 3 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përgëzon Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama dhe popullin amerikan me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Në tekstin e mesazhit thuhet:

I nderuar Shkëlqesi, President Obama,


Me rastin e 4 Korrikut, përvjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të vendit tonë.

4 korriku, Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës na rikujton vlerat dhe historinë e SHBA-ve, vlera këto të cilat kanë ndikim në zhvillimin e demokracisë, humanitetit dhe lirisë së përgjithshme të popujve në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i lirisë, demokracisë, barazisë, perspektivës dhe zhvillimit teknologjik e shkencor në përmasa globale, duke bërë vendin tuaj vend të idealeve dhe rritjes së mirëqenies ekonomike dhe sociale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo periudhë historike kanë mbrojtur popujt liridashës, në mesin e të cilëve edhe popullin e Kosovës, duke na ndihmuar në realizimin e ëndrrës sonë të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë.

Edhe në periudhën e tanishme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të luajnë rolin kryesor mbështetës për procesin e konsolidimit të mëtejmë të institucioneve demokratike të Kosovës, në proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit të shtetit të Kosovës.

Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e çmojnë lartë mbështetjen e Qeverisë dhe popullit amerikan për Kosovën, që është dhënë në të gjitha periudhat. E ritheksoj se për popullin dhe Qeverinë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati dhe partneri ynë i përhershëm strategjik.

Republika e Kosovës me vendosmëri është e orientuar drejt avancimit të vlerave të lirisë, të demokracisë dhe të zhvillimit, vlera këto që do të mundësojnë integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Duke uruar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë zhvillim edhe më të fuqishëm, më lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë për Ju z.President, me premtimin se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj do të jenë përherë përkrahë jush dhe popullit liridashës amerikan.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)