Thaçi përgatit "tërrenin" për zgjedhje të parakohshme
Prishtinë, 4 maj - Kryeministri Hashim Thaçi është duke e përgatitur skenarin që qeveria e tij të rrëzohet në Kuvendin e Kosovës, vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, dhe qytetarët të përballen me dy palë zgjedhje zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje lokale njëkohësisht.
Një burim ndërkombëtar i ka thënë Zërit se kanë informacione se i pari i qeverisë është duke punuar për rënien e qeverisë, por e ka dilemën se si ta bëjë këtë më së lehti, dhe si kjo të mos e dëmtojë kredibilitetin e tij.
E kemi nuhatur se ai (Thaçi) po e mendon opsionin që gjatë këtij viti në Kosovë të ketë zgjedhje parlamentare. Ai po mendon që qeveria të bjerë në Kuvend, njëjtë siç pati bërë më parë me AKR-në, e cila pati ngritur mocion të votëbesimit për qeverinë e atëhershme. Kryeministrit po i intereson që rënia e qeverisë të mos i shkaktojë atij humbjen e zgjedhjeve të ardhshme. Kjo është dilema e vetme që ka ai, ka thënë ky burim.
Zgjedhjet e fundit janë mbajtur në vitin 2010, ku Thaçi është rizgjedhur kryeministër.
Ndërkaq, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, mandati i deputetit dhe i qeverisë zgjat katër vjet, periudhë kjo pas së cilës mbahen zgjedhjet e reja parlamentare.
/Zëri/