Thaçi: Për Shtëpinë e Verdhë dëgjova nga të Verdhët
Prishtinë, 10 janar - Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, i përfolur për trafikim organesh nga komisioneri i KiE-së Dick Marty, sërish ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij.
Gjatë një interviste për EU Observer, Thaçi ka thënë se për herë të parë dëgjoi për Shtëpinë e Verdhë nga mediat e Verdha në Beograd dhe libri i Carla Del Pontes.
"UÇK-ja luftoi për çlirimin e vendit. Gjithë bota e di kush ka bërë genocid. Raporti i Dick Martyt ka për qëllim ta kriminalizoj luftën për liri, dhe ta dëmtoj imazhin e Kosovës për t`i penguar njohjet, ta dëmtoj imazhin e Shqipërisë dhe dialogun e ardhshëm Kosovë-Serbi, ka thënë Thaçi.
Ai më tej ka shtuar se raporti anti Kosovë i Martyt është edhe një përpjekje kundër miqve ndërkombëtarë të Kosovës si SHBA-së e BE-së. Shumë liderë në Prishtinë kanë folur për mundësinë e shtyrjes së bisedimeve deri në qartësimin e kësaj çështjeje. Raporti i Dick Martyt prezantohet për diskutim në fund të janarit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.