22 Janar 2025

Thaçi për “FAZ”: Kosova është vend i sigurt

Vjenë, 21 gusht - Në kolumnën e tij për gazetën "Franfkurter Allgemeine Zeitung", zv.kryeministri Thaçi është shprehur se Kosova është një vend i sigurt.

Në kolumnën e tij për gazetën prestigjioze gjermane "Franfkurter Allgemeine Zeitung", zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur se Kosova është një vend i sigurt, se qytetarët e saj e meritojnë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së dhe se vendi ka filluar të tejkalojë gradualisht sfidat ekonomike.

Shkruan: Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës


Fillimi i këtij viti solli skena të papritura në stacionin e autobusëve në kryeqytetin e Kosovës. Mijëra kosovarë, nga të gjitha grupmoshat dhe sferat e jetës, filluan të braktisin vendlindjen e tyre në përpjekje për të ikur drejt vendeve të BE-së në kërkim të një jete më të mirë.

Deri më tani, gjatë këtij viti, deri në 60,000 njerëz kanë lënë vendin për të kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani. Pothuajse 30,000 prej tyre përfunduan në Gjermani gjatë gjysmës së parë të vitit 2015, që përbën një numër katër herë më të madh se ai që është shënuar gjatë gjithë vitit 2014, kur gjithsej 6,900 kosovarë kërkuan azil në Gjermani.

Ne kemi ndërmarrë masa të forta që ndikuan në uljen drastike të numrit të emigrantëve kosovarë. Ndërsa numri i kosovarëve që kërkonin azil në Gjermani në muajin mars arriti në 11,147, deri në qershor të këtij viti numri ra në 1,373, ndërsa në korrik numri i emigrantëve ka rënë nga mijëra në qindra sosh.

Ngjashëm, derisa numri i azilkërkuesve kosovarë në Hungari arriti në 14,000 në muajin mars, në qershor numri i tyre ra në më pak se 300. Pra, si arritëm këtë? Si e ndryshuan autoritetet e Kosovës rrjedhën dhe si mund të punojmë së bashku me autoritetet e BE-së dhe qeverinë gjermane për të siguruar që në mënyrë të përhershme do të ulim numrin e kosovarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së?

Fillimisht, ne duhej që të kuptonim arsyen e valës së emigrantëve. Shumë nga ata që braktisën vendin nga stacioni i ftohtë i autobusëve në mes të natës pretendonin para Gjermanisë dhe botës se nuk shihnin asnjë shpresë në Kosovë dhe situata ishte bërë e padurueshme, ekonomikisht dhe politikisht.

Mirëpo, pas hulumtimeve të domosdoshme, Policia e Kosovës dhe autoritetet e emigracionit gjetën një situatë më komplekse që duhej të trajtonim.

Janë disa të dala që mund t’i ndajmë me ju:

Fillimisht, 80% e emigrantëve nga Kosova vijnë nga vetëm 10% të komunave në Kosovë. Disa qytete dhe fshatra humbën rreth 10% të popullsisë së tyre, ndërsa në disa qytete të mëdha asnjë banorë nuk ia mësyu stacionit të autobusëve për të kërkuar një jetë më të mirë në Gjermani. Kjo tregoi se ka pasur rrjete të fuqishme kriminale në disa zona që ishin organizatorë dhe forcat kryesore që ua mundësonin njerëzve kalimin ilegal të kufirit për të kërkuar azil.

Qendra e mafisë së trafikantëve të qenieve njerëzore është në veri të Serbisë, në afërsi të Hungarisë, ku kriminelët serbë dhe kosovarë bashkëpunuan me zyrtarë të korruptuar kufitarë për të dërguar mijëra njerëz përtej kufirit. Sipas disa përllogaritjeve, në vitin 2015, kosovarët i kanë paguar deri në 20 milionë euro bandave kriminale për t’u kontrabanduar në BE.

Së dyti, një valë e fortë thashethemesh dhe dezinformatash kishte kapluar banorët. Shumë medie në internet dhe madje edhe disa analistë nga qarqe intelektuale të Prishtinës po pretendonin se Gjermania kishte filluar me lëshimin e lejeqëndrimit dhe lejeve të punës për kosovarët që po kërkonin azil. Ideja ishte se Gjermania ka një normë të ulët të lindjeve dhe se gjermanët kërkojnë njerëz nga Ballkani për të punuar në Gjermani. Kjo mund t’i tingëllojë e pakuptimtë publikut gjerman, por realiteti është se ky spekulim ishte shumë i fuqishëm dhe u la pa përgjigje për shumë javë.


Rrjedhimisht, autoritetet kosovare nisën një fushatë informuese në të gjithë mediet duke ofruar informacione të sakta se kosovarët nuk kanë asnjë shans për të marrë azil në vendet e BE-së. Ne i goditëm rrjetet e mafisë, kurse policia arrestoi dhjetëra trafikantë të qenieve njerëzor që po pasuroheshin duke shkaktuar tragjedi njerëzore. Ne gjithashtu e kemi vënë ekonominë në krye të prioriteteve të qeverisë dhe tashmë kemi siguruar, këtë vit, dy kontrata të mëdha në fushat e energjisë dhe turizmit dimëror, investime prej 1.5 miliard euro në Kosovë.

Sidoqoftë, Kosova ka nevojë për ndihmë nga Gjermania për të siguruar se ne kurrë më nuk do të shohim një përsëritje të valës së emigrantëve. Ne kërkojmë nga autoritetet gjermane që ta shpallin Kosovën si një vend të sigurt.

Shkalla e krimit për kokë banori në qytetet e Kosovës është më e ulët se në qytetet gjermane. Vendi është politikisht më stabil seç ishte në 100 vitet e fundit. Ne kemi një sistem demokratik që siguron përfaqësim shumë të gjerë politik për pakicat kombëtare. Gjendja ekonomike nuk është e mirë kur dihet se jemi në periudhë të tranzicionit, por një vizitë në Kosovë do t’ju mjaftojë që të shihni se gjendja është e krahasueshme edhe me disa shtete lindore anëtarë të BE-së, prandaj nuk ka arsye për t’u dhënë azil kosovarëve.

Ne gjithashtu kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë për t’u mundësuar kosovarëve që të udhëtojnë përmes rrugëve legale. Kosova është shteti i fundit në Ballkanin Perëndimor që mbetet i privuar nga udhëtimi pa viza. Është viti 2015 dhe është tragjike që të rinjtë tanë thjesht fare nuk mund të vizitojnë Berlinin, Vjenën apo Romën, për të shijuar të mirat dhe sfidat e Evropës. Si mund të ndërtojmë një të ardhme evropiane për Kosovën nëse njerëzit tanë nuk mund as të vizitojnë Evropën?


Së fundi, ne duhet të vazhdojmë së bashku me “Procesin e Berlinit”, nismën e kancelares gjermane Angela Merkel, për të jetësuar investime në infrastrukturë në Ballkanin Perëndimor. Liderët e Ballkanit do të takohen sërish në Vjenë, kurse në mesin e pjesëmarrësve do të jenë edhe kancelarja Merkel, kryeministri italian Matteo Renzi dhe kancelari austriak Werner Faymann. Vendet tona kanë nevojë për ndërlidhje më të mirë përmes investimeve rrugore, hekurudhore dhe në infrastrukturën energjetike, gjë që do të ndikonte që Gjermania, në të ardhmen, të shpenzojë më pak para për imigrantët nga Ballkani. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)