Thaçi: PDK-ja fiton në zgjedhjet e së dielës
Vjenë, 5 qershor - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen prestigjioze austriake Die Presse, ka thënë se në zgjedhjet e së dielës PDK-ja do të dalë fituese bindëse.
Programi ynë po pranohet. Qytetarët ju besojnë premtimeve të mia që në mandatin e ri do ti krijojmë 200 mijë vende të reja të punës, ka thënë Thaçi për gazetën austriake. Ai ka shtuar se në mandatin e ardhshëm do të ketë një mazhorancë shumë të fuqishme në Kuvendin e Kosovës.
Duke u përgjigjur në pyetjen për slloganin e ri të PDK-së, Thaçi ka thënë se misioni i parë ka qenë liria dhe shteti i Kosovës. Misioni i dytë, sipas tij, ka qenë forcimi i shtetësisë së Kosovës, të cilën e kemi përfunduar me sukses. Prandaj, tani qytetarët do të ma besojnë misionin e ri: zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Para pak ditësh kemi marrë vendimin për ngritjen e pagave për 25 për qind për të gjitha kategoritë, në përputhje me kriteret e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka thënë kreu i PDK-së, duke shtuar se këtë muaj do të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë Shkup.
Ne po e ndryshojmë Kosovën, ka theksuar Thaçi. Ai ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe për dialogun me Serbinë.