Thaçi: Patriotizëm sot është të ndërtojmë një Kosovë të pastër
Prishtinë, 24 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në nismën Ta pastrojmë Kosovën, aktivitetit që u organizua në tërë Kosovën.
Duke nisur zyrtarisht këtë aktivitet afër shkollës fillore Xhemajl Mustafa në lagjen Dardania në Prishtinë, së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryetarin e komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, kryeministri Thaçi tha se aktivitetet e tilla i bashkuan të gjitha gjeneratat, pa dallime partiake e politike.
Patriotizmi më i madh sot është që të punojmë të gjithë, të zhvillojmë dhe të ndërtojmë një Kosovë të pastër, por edhe të preventojmë që të mos ndodhin këto ndotje, natyrisht. Sot janë të gjithë na aksion, dhe unë kam besim të plotë që ky aksion do të vazhdoj edhe në të ardhmen, dhe do të rritet dhe do të kultivohet edukata e gjithanshme, sepse ambienti është i yni, dhe ambienti është jeta jonë është shëndeti ynë ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi theksoi se do të vazhdohet përkrahja për aktivitetet e tilla.
Qeveria e Republikës së Kosovës aktivisht do të jetë e përkushtuar në mbështetje të këtyre iniciativave të mrekullueshme ka thënë kryeministri Thaçi.