Thaçi: Pas vendimit të GJND pritet një valë e re njohjesh
Prishtinë, 11 shkurt - Vendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pritet të pasohet nga një valë e re njohjesh për Kosovën, deklaron kryeministri Hashim Thaci.
Në një intervistë për të përditshmen austriake Die Presse, Thaçi ka thënë se ai pret që GJND-ja do të dëshmojë se respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
Kryeministri kosovar ka vlerësuar se Kosova është treguar e suksesshme në lobim për njohjen e saj, dhe ka theksuar se shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, tani kanë filluar të ndërrojnë mendjen. Në mesin e tyre, sipas Thaçit, janë edhe shtetet e BE-së që deri më tani kanë qenë skeptike.
I pyetur ndërkaq për papunësinë e madhe, korrupsionin dhe pagat e ulëta në Kosovë, Thaçi është shprehur se pavarësia e vendit nuk ka mundur të krijonte mrekulli, por ka shpjeguar se këtë vit do të sillen vendime të rëndësishme në fushën e energjetikës dhe të infrastrukturës.
Ai ka paralajmëruar privatizimin e PTK-së dhe të qendrave turistike dimërore në vend, të cilat sipas kryeministrit, do të sjellin investime të jashtme dhe vende të reja të punës.