02 Maj 2024

Thaçi: Pas certifikimit të zgjedhjeve do kemi qeverinë e re

Prishtinë, 31 janar - Partia Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj, Hashim Thaçi, thanë se janë në pritje të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve para se t’i bëjnë publike ofertat për partitë tjera rreth koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka dashur të flas nëse u ka bërë oferta partive politike pas publikimit të rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mirëpo ai ka thënë se qeveria e re do të formohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve.

“Partia fituese me një rezultat bindës është Partia Demokratike e Kosovës. E ritheksoj edhe njëherë se menjëherë me certifikimin e rezultatit zgjedhor do të kemi edhe qeverinë e re shumetnike, shumëpërfshirëse në kuptimin politik dhe e standardeve euroatlantike”, është shprehur Thaçi.
 
Si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve, Thaçi u zotua se do ta formojë qeverinë e re, por nuk e sqaroi formulën, mbi të cilën ai mendon të lidhë koalicionin qeverisës. Ai tha se qeveria e re do të formohet shumë shpejt pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka theksuar se kjo parti politike nuk ka asnjë ofertë nga partia fituese për ndonjë koalicion të mundshëm. Pavarësisht nëse do të jetë në pushtet apo në opozitë, AAK-ja, tha Isufi, është e gatshme ta marrë pjesën e vet të përgjegjësisë.

“Ne jemi për krijimin e një parlamenti ashtu si e do vendi, për institucione të fuqishme, për një qeveri, e cila është stabile dhe që e përfundon mandatin. Dhe, ne mendojmë se AAK-ja e merr pjesën e vet të përgjegjësisë qoftë nëse hyn në qeveri, qoftë nëse mbetet në opozitë”, theksoi Isufi.

Partia fituese e zgjedhjeve, sipas Kushtetutës, e merr e para mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme. Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, PDK-së në këtë rast do t’i duhet të lidhë një koalicion qeverisës për formimin e qeverisë së re, e cila merr miratimin e Kuvendit me minimumin prej 61 votave.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës për herë të parë do të jetë në taborin e opozitës. Pozicionin e LDK-së për mospërfshirje në qeverinë e ardhshme, e rikonfirmoi lideri i saj, Isa Mustafa.

“Ne nuk do të bëjmë koalicion, jam shprehur se nuk do të bëjmë koalicion. Ne jemi pozicionuar si LDK se ku do të jemi, ne do të jemi në opozitë në Parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa tash, ne presim që të bëhet edhe certifikimi i rezultatit”, theksoi Mustafa.

Ai e hodhi poshtë mundësinë që disa deputetë të LDK-së të kalojnë te koalicioni i ri i PDK-së me subjektet tjera. Mustafa tha se ka dëgjuar zëra për një mundësi të tillë, por, siç u shpreh ai, deputetët e LDK-së nuk mund të trafikohen nga një subjekt në tjetrin.

“Konsiderojmë se nuk e kemi asnjë mercenar që na është futur në listën e deputetëve dhe nuk shohim asnjë arsye që qeverisja e ardhshme e Kosovës të bazohet në trafikimin e deputetëve, sepse nuk do të ketë qeverisje të sigurt dhe nuk do të ketë qeverisje të qëndrueshme”, u shpreh Mustafa.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)