Thaçi: Nuk mund të mbesim peng të së kaluarës
Prishtinë, 19 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim lamtumirës shefin e deritashëm të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jean Claud Schlumberger.
Kemi bashkëpunuar në kohë sfidash, por i kemi përballuar me sukses. OSBE ka luajtur rol thelbësor në organizimin e zgjedhjeve lokale e të përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës. Keni kontribuar në zhvillimin dhe forcimin e demokracisë në Kosovë, ka thënë presidenti Thaçi.
Duke folur për procesin e integrimeve euroatlantike të shteteve të Ballkanit, presidenti Thaçi ka thënë se nuk mund të mbesim peng të së kaluarës.
E ardhmja është në paqe dhe dialog, shtoi ai.
Në anën tjetër, shefi i deritashëm i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean Claud Schlumberger është shprehur i kënaqur me rolin që ka pasur në implementimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Mbesim të angazhuar në forcimin e institucioneve të Kosovës dhe për pajtim, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi vlerësoi lart angazhimin e tij për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe falënderoi ambasadorin Schlumberger për bashkëpunimin e deritashëm.