16 Janar 2025

Thaçi: Nuk ka kohë për të humbur, Brukseli të mos vonohet

Bruksel, 19 shkurt - Kryeministri Hashim Thaçi, është takuar me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso. Thaçi e ka falënderuar atë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës dhe gjithë rajonit në perspektivën evropiane.

Kosova në këto 5 vite shtetësi, sipas tij, ka shënuar progres të gjithanshëm në ndërtimin e institucioneve dhe infrastrukturës ligjore, në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe në rritjen e saj ekonomike, por në veçanti në rrugën e saj evropiane.

“Kosova si një vend i ri, demokratik, shumetnik, ka perspektivë të sigurt evropiane, euroatlantike. Nuk ka dyshim që e kaluara e hidhur, luftërat e përgjakshme dhe shtypja që ka zgjatur me dekada, ka lënë shumë plagë dhe shumë sfida në Kosovë, por edhe në rajon”, ka thënë Thaçi. Jemi të vëmendshëm se duhet të bëjmë më shumë në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet.

Ne do të vazhdojmë bashkërisht me institucionet evropiane, që janë prezentë në Kosovë, bashkëpunimin e ngushtë me EULEX-in, në mënyrë që të implementojmë në veçanti kriterin e sundimit të ligjit dhe vazhdimin e betejës kundër fenomeneve negative, korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se është shumë i vetëdijshëm se si lidership ka përgjegjësi për gjeneratat që do të vijnë pas dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

”Do të takohemi si dy kryeministra të dy vendeve tona për të diskutuar hapat tonë të mëtutjeshëm me shpresë dhe optimizëm për arritjen e marrëveshjeve të reja, për t’i implementuar dhe natyrisht për të normalizuar në tërësi raportet Kosovë-Serbi, që do të nënkuptonte edhe evropianizimin e gjithë rajonit tonë”, ka thënë ai.

Kryeministri ka thënë se e ka siguruar presidentin Barroso se Kosova është e gatshme që të punojë në mënyrë kreative dhe të përgjegjshme në këtë proces.

”Kosova dhe qytetarët e saj po presin me padurim përfshirjen e drejtpërdrejt dhe konkrete të Kosovës në proceset euroatlantike. Në këtë drejtim, duke parë edhe kontekstin historik dhe politik, jo për faj të saj, Kosova ka mbetur vonë në këtë proces, sepse është e fundit që ka fituar lirinë dhe e fundit që është pavarësuar në rajon”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, tash nuk ka kohë për të humbur, Brukseli nuk duhet vonuar. “Qytetarët e Kosovës janë duke pritur me padurim që të lëvizin drejt proceseve integruese, në veçanti në procesin e lëvizjes së lirë, që tani është më tepër si pengesë politike sesa teknike, por Kosova do të punojë që t’i kryej obligimet dhe do t’i zbatojë të gjitha kriteret demokratike në kohë rekorde”, ka theksuar Thaçi.

Ndërsa, Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso, në konferencën e përbashkët për media, pas takimit me Kryeministrin Thaçi ka thënë se është diskutuar për sfidat kryesore me të cilat duhet të përballet Kosova për të realizuar ëndrrën evropiane. Sipas tij, Kosova po bën progres hap pas hapi.

“Gjatë diskutimeve të hapura që patëm sot, e kam theksuar se tani është momenti që të bëhet një progres dhe të përshpejtohen reformat e kërkuara. Ky do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Siç ka thënë edhe Këshilli, 2013-ta do të mund të jetë viti i hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në qoftë se arrihet progresi i kërkuar”, ka thënë ai.

Kjo javë, sipas tij, është shumë e rëndësishme pasi po priten rezultatet e dialogut në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Shpresoj se ky takim do të vazhdoj në frymë konstruktive, siç ka qenë edhe rasti në takimet e fundit. Rezultatet e këtij takimi janë shumë të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra për fatin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian. Prandaj presim që kryeministri të bëj hapa të mëdhenj për hapat e ardhshëm të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ne po ashtu kemi diskutuar edhe progresin e Kosovës sa i përket Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim”, ka thënë Barroso.

Sipas tij, Komisioni Evropian është shumë i angazhuar që të jap udhëzime që kjo marrëveshje të bëhet, nëse Kosova përmbush kriteret e kërkuara në Studimin e Fizibilitetit.

Një progres substancial është arritur tashmë. E kuptojmë që Kosova është e angazhuar Duhet të përqendrohemi edhe në disa çështje që janë të rëndësishme për Kosovën, që kanë të bëjnë edhe me liberalizimin vizave. Ne jemi të kënaqur me legjislacion, por Kosova duhet të bëjë më shumë në zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Kosovën gjatë dy muajve të ardhshëm që ta përmbyllë:, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shpreson se Kosova do të angazhohet për perspektivën evropiane të Kosovës. Javët e ardhshme, sipas tij, do të jenë në vazhdimësi shumë të rëndësishme për këtë agjendë evropiane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)