05 Maj 2024

Thaçi: Nuk ka koalicion të ri, por as zgjedhje të parakohshme

Prishtinë, 1 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministrit Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar katër (4) projektligje, katër (4) koncept dokumente për hartimin e projektligjeve të ndryshme dhe vendime tjera nga fushat e përgjegjësive të saja ligjore dhe Kushtetuese.

Në fjalën e hapjes së Kryeministrit Hashim Thaçi ka theksuar se tashmë kanë mbetur pak më shumë se dyzet ditë nga vendimi përfundimtar për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe mund të themi se obligimet e veta Qeveria e Kosovës i ka përmbushur në afat. Presim që edhe institucionet tjera të përmbushin obligimet e veta në afatin e paraparë.

Kryeministri Thaçi ka shprehur qëndrimin për diskutimet që po zhvillohen në lidhje me funksionimin e koalicionit qeverisës. Nuk do të ketë koalicione të reja e as kriza të qeverisjes. Koalicioni do të vazhdojë punën e mirëqeverisjes deri në fund të mandatit.

“Do të vazhdojmë angazhimet në bashkëpunim me të gjithë akterët politikë dhe pres që edhe kontributi i opozitës në agjendën shtetformuese dhe të integrimeve euroatlantike  të vazhdojë”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur qëndrimin për mandatin aktual të presidentes.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një realitet të ri juridik dhe respektimi i tyre per Qeverinë e Kosovës nuk është në dyshim. Do të jemi gjenerozë në çështjet që do të shtrojë opozita në procesin e diskutimit të ndryshimeve kushtetuese dhe të ligjit për zgjedhjet dhe do të respektojmë në përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetues” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka hequr dilemat për një koalicion të ri me subjekte politike. Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri ka thënë se nuk do të ketë koalicion të ri, por as zgjedhje të parakohshme, para afatit të caktuar me Kushtetutë.

“Nuk do të ketë as koalicion të ri dhe as zgjedhje të parakohshme para afatit kushtetues. Ne do të vazhdojmë me përgjegjësitë tona më të larta të punojmë, por jemi përkujdesur që të punojmë dhe gjejmë hapësirë edhe për mekanizmat tjerë që të japin kontributin e tyre qytetar kushtetues e ligjor për të vazhduar me reformat zgjedhore”, ka theksuar shefi i qeverisë.

Sipas tij, ka vend dhe hapësirë për punë të përbashkët të pozitës dhe opozitës në segmente të caktuara shtetërore.

“Unë gjithmonë opozitën e kam parë si një vlerë të shoqërisë demokratike. Besoj se opozita do të vazhdojë të luajë rolin e vet aktiv dhe konstruktiv siç e ka pasur deri më tani. Tek e fundit përmbyllja e mbikëqyrjes është meritë dhe kontribut i të gjithëve”, ka thënë Thaçi.

Gjithashtu Kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se kanë mbetur edhe 40 ditë kur do të merret vendimi përfundimtar i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Ai ka thënë se të gjitha prioritetet dhe agjendat që kanë qenë të planifikuara janë duke u kryer në përpikëri të plotë.

“Pres që edhe me rifillimin e punës së Kuvendit të kryhen edhe obligimet që ka Kuvendi për ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të plotësojmë agjendën paraprake të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Do të jetë një hap i ri një etapë e re për shtetin tonë shtet me përgjegjësi të plota dhe natyrisht me agjendën konkrete evropiane me hapat e mëtutjeshëm që do t’i kemi gjatë vjeshtës”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri pret që në këtë proces të punojnë bashkërisht të gjithë, Qeveria, Kuvendi, partitë politike në pozitë e opozitë, OJQ-të dhe mediat.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, me të cilin rregullohet themelimi, organizimi, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencioni për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës – AMKMK.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Projektligji për Ujërat. Qëllimi i miratimit të këtij Projektligji është që të sigurojë zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës. Projektligji rregullon themelimin e procedurave dhe parimeve udhëzuese për shpërndarjen optimal të resurseve ujore; sigurimin e mbrojtjes së resurseve ujore nga ndotja, keqpërdorimi dhe nga tejkalimi i normave të shfrytëzimit.

Kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhjen e  sotme Projektligjin për Arsimin dhe Aftësimin për të rritur në Republikën e Kosovës. Qëllimi i këtij Projektligji është të rregullojë tërësinë e proceseve të arsimit dhe aftësimit të të rriturve si pjesë përbërëse e sistemit arsimor në Kosovë.

Edhe Projektligji për Provimin e Jurisprudencës është miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Me këtë Projektligj rregullohen kushtet, kriteret, procedurat dhe programet për dhënien dhe vlerësimin e provimit të Jurisprudencës. Projektligji do të rregullojë organizimin e provimit, përbërjen dhe funksionimin e Komisionit për dhënien e provimit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që në Planin e hartimit të dokumenteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2012, të përfshihen edhe këto dokumente Strategjike:

-Programi Nacional për ofrimin e shërbimeve në Gjuhën e Shenjave për Personat e Shurdhër në Republikën e Kosovës 2012-2015 ;

-Strategjia dhe Plani Nacional i Veprimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Republikën e Kosovës;

-Draft Plani i Veprimit për zbatimin e Ligjit kundër Diskriminimit;

-Strategjia kundër korrupsion 2012-2016;

-Strategjia për rezervat shtetërore të mallrave;

Nga Plani i Dokumenteve Strategjike për vitin 2012 të Qeverisë së Republikës së Kosovës hiqen ose shtyhen për vitin 2013:

- Strategjia për Reformën Institucionale të Agjencisë Kadastrale të Kosovës;

- Programit për Zbatimin e Strategjisë së Energjisë të Kosovës për periudhën 2012-2014;

- Strategjia për Zhvillimin e Kulturës 2012-2017;

- Strategjia Nacionale për Integrim Evropian

Sipas këtij vendimi do të bëhet bashkimi i këtyre dokumenteve strategjike te parapara si në vijim:

-Strategjia për Promovimin e Eksportit,  Strategjia për Mbikëqyrjen e Tregut dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Strategjia për Infrastrukturën e Cilësisë (përfshinë Standardizimin, Akreditimin dhe Metrologjinë bashkohen në Strategjinë Sektoriale për sektorin e tregtisë dhe industrisë;

- Strategjia per Konservim te Integruar 2012-2017 dhe Strategjia per Mbrojtjen dhe Promovimin e Trashëgimisë Kulturore 2012-2017 bashkohen ne një strategji të vetme;

- Strategjia për Transportin Multimodal me Strategjinë Sektoriale të Ministrisë së Infrastrukturës.

Vendimi parasheh edhe ndryshimin e  afateve kohore për dërgimin e Dokumenteve Strategjike në Qeveri.

Me një vendim të aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës, në Programin Legjislativ i vitit 2012 të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të përfshihen këto projektligje:

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin, Imunitetet dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike, Konsullore dhe Personelin e Kosovës dhe të Praninë Ndërkombëtare Ushtarake si dhe Personelin e saj;

-Projektligji për Ratifikimin e Amendamentit të Neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi Reformën e Bordit Ekzekutiv;

-Projektligji për Rritjen e Kuotës së Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar;

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut;

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësim e Ligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve;

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësim e Ligjit për mallra strategjike.

Ndërsa, sipas këtij vendimi, nga Programi Legjislativ 2012 do të hiqen:

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme;

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Farëra;

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Materialin Fidanor.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për subjektet që do të jenë përfituese të ekzemplarëve falas të Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës. Këto subjekte janë: Institucionet arkivore të Kosovës, të nivelit qendror dhe lokal, bibliotekat publike, stacionet dhe nënstacionet policore dhe gjykatat për kundërvajtje, komunale dhe të qarkut në Kosovë.

Në mbledhje, kabineti qeveritar ka shqyrtuar Raportin Gjashtëmujor të Buxhetit për vitin 2012. Raporti është përgatitur në pajtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Parasë. Shuma e përgjithshme e pranimit të pagesave në para të gatshme për Buxhetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në periudhën janar-30 qershor 2012, është 657,87 milion euro. Ndërsa, në të njëjtën periudhë, pagesat kapin shumën prej 632,61 milion euro.

Nga mbledhja më e madhe e të hyrave në krahasim me pagesat, raportohen 25,26 milion euro rritje të parasë në këtë periudhë.

Bilanci bankar, që reflekton ruajtjen e fondeve nga viti paraprak, grantet e donatorëve të pashpenzuara dhe fondet në mirëbesim. Gjendja e mjeteve në llogarinë bankare të Buxhetit të Republikës së Kosovës, më 30 qershor 2012 ka qenë 231,94 milion euro.

Listës së koncept dokumenteve për hartimin e projektligjeve, të aprovuara sot në mbledhje nga kabineti qeveritar i prinë Koncept Dokumenti për hartimin e Projektligjit për Sistemin e Pagesave. Sipas këtij koncept dokumenti, qëllimi i hartimit të këtij Projektligji është rregullimi ligjor i sistemeve të pagesave dhe të drejtat deh detyrimet e pjesëmarrësve në sistemin e pagesave.

Përmes miratimit të koncept dokumentit për hartimin e Projektligjit për Rritjen e Kuotës së Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, hapet rruga për përmbushjen  obligimeve të Republikës së Kosovës konform politikave të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas këtij Projektligji që do të hartohet, parashihet rritja e kuotës së Republikës së Kosovës nga 59,0 milion në  82,6 milion.

Edhe koncept dokumenti i hartimit të Projektligjit pë2r Ratifikimin e Amendamenteve të Neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar për Reformën e Bordit Ekzekutiv, hapet rruga e hartimit të këtij projektligjit që rregullon raportet e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarje të mjeteve shtesë, në vlerë prej 300,000.00 euro për programin e trajtimit jashtë vendit. Mjetet sigurohen nga rezervat e Qeverisë.

Për realizimin e projektit për Diplomaci Digjitale, Qeveria në mbledhjen e saj ka vendosur të ndaj 25,000.00 euro. Edhe këto mjete do të ndahen nga rezervat e qeverisë.

Qeveria ka marrë vendim për të mbështetur financiarisht pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalin e Venedikut (gusht-nëntor 2012). Kjo është hera e parë që Republika e Kosovës merr pjesë zyrtarisht në këtë bienale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)