Thaçi: Nuk do të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë
Prishtinë, 18 prill - Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e 70-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në hapje të mbledhjes kryeministri Thaçi para kabinetit qeveritar ka thënë se nuk do të ndodh pretendimi i Serbisë për të mbajtur zgjedhje në Kosovë.
Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë është dhe do të mbetet shumë i qartë, Serbia me pretendimin e vet për të organizuar zgjedhje në Kosovë, nuk do tia arrij qëllimit, pohoi Thaçi.
Ai shtoi me tutje se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përdorë gjithë mekanizmin e vet kushtetues dhe ligjor që diçka e tillë të mos ndodh.
Ky pretendim i Serbisë sipas tij është në kundërshtim të plotë me Rezolutën 1244, me opinionin e GJND-së, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe e vlerësojmë si pretendim agresioni.
Kur flas se nuk do të mund të organizoj Serbia zgjedhje në Kosovë , flas edhe për zgjedhje lokale, edhe për zgjedhje të përgjithshme edhe presidenciale. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përgjegjshme që të respektoj modelin evropian, atë të dyshtetësisë, dhe të respektoj plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe dokumentin e presidentit Ahtisari."
"Pra, do të respektoj të gjitha dokumentet që i ka aprovuar Kuvendi i Republikës së Kosovës. E drejta e dyshtetësisë nuk vlen vetëm për një komunitet dhe për një komunitet tjetër jo. Vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.