Thaçi: Nuk do të jem kandidat për kryeministër
Ai në një intervistë për numrin festiv të vitit të ri për gazetën Epoka e re, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në këtë post të vijë ish-shefi I SHIK-ut Kadri Veseli, për të cilin ka thënë se ka kapacitete të fuqishme për udhëheqje ekzekutive, presidenciale dhe legjislative.
"Veseli dhe një pjesë e madhe e lidershipit të PDK-së kanë kapacitete të fuqishme për udhëheqje, ekzekutive, presidenciale dhe legjislative. Kyçja e z. Veseli në PDK paraqet energji dhe kreativitet organizativ dhe ideor për realizimin e qëllimit dhe vizionit evropian për PDK-në Kosovën evropiane", ka thënë Thaçi në një intervistë për "Epoka e re".
Kryeministri Thaçi, ka thënë se beson se AAK-ja do të jetë pjesë e kësaj qeverie. "Unë besoj se po. Ekziston vullnet i dyanshëm për partneritet qeverisës", ka thënë Thaçi.
Thaçi, ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të ia lëshoi askujt postin e kryeministrit.
Mendoj se të gjithë qytetarët e dinë realitetin në Kosovë. Gjithashtu, edhe gjithë faktori ndërkombëtar e di realitetin në Kosovë. Secili do të vlerësohet sipas fuqisë politike. Kjo çështje nuk është punë e muhabeteve private, por parimore dhe e legjitimitetit qytetar. AAK-ja mendoj se mund të gjejë hapësirë meritore në kuadër të Qeverisë së Kosovës, është shprehur Thaçi.
Duke folur për ofertën e Haradinajt, ai ka thënë se askush askujt nuk mund ti bëjë kushtëzime, kurse partneritetet janë vullnete të partive politike.
"Ne jemi takuar me z. Haradinaj dhe kemi biseduar. Është shprehur vullnet të punojmë bashkërisht dhe kemi marrë përgjegjësi për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, për çfarë është ngarkuar edhe Shala si koordinator politik nga presidentja e Republikës së Kosovës."
"Kemi diskutuar dhe jemi dakorduar me Hardinaj të bashkëpunojmë për të ardhmen evropiane dhe reformat zgjedhore, ndërsa sa i përket koalicionit nuk kemi biseduar, përpos që është treguar vullnet për një partneritet strategjik në mes PDK-së dhe AAK-së. Ne tani jemi në prag të organizmit të Kuvendit Zgjedhor të PDK-së, i cili do të mbahet më 26 janar të vitit të ardhshëm."
"Pas këtij kuvendi organet e partisë do ti marrin vendimet përkatëse. Partia e cila udhëheq vendin e prezanton ofertën për të tjerët, për tiu bashkangjitur Qeverisë, e jo të tjerët për të", ka thënë Thaçi