Thaçi nuk brengoet nga publikimi i raportit të Wikileaksit
Prishtinë, 14 korrik - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është brengosur nga publikimi i raportit të Wikileaksit, i cili para pak ditësh e zbuloi faktin se ai u kishte thënë diplomatëve amerikanë që i frikësohet ndikimit të Sali Berishës në Kosovë.
Thotë se raportet me homologun nga Tirana si ato personale, ashtu edhe institucionale i ka të shkëlqyera. Në intervistën dhënë Kohës Ditore, shefi i Qeverisë nuk shqetësohet se Wikileaks mund të zbulojë kabllo të tjera diplomatike, të cilat e implikojnë atë në lidhjet e kontratave për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, apo në dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës.
I pari i Ekzekutivit mohon që më 2 korrik të jetë arritur ndonjë marrëveshje mes palës vendëse dhe asaj serbe. Krejt çka ka dalë nga takimet katërmujore të palëve, sipas tij, janë konkluzionet e Robert Cooperit. Megjithatë, ai e pranon se palët kanë marrë zotimet për ti respektuar pikat e atyre konkluzioneve.
Ndryshe nga kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, i cili ka vlerësuar se pala kosovare ka hequr dorë nga disa prej elementeve të shtetësisë, Thaçi shprehet i bindur se asnjëra nga konkluzionet e Cooperit nuk e prekin sovranitetin e Kosovës. Pavarësisht dallimeve në qëndrime, Thaçi thotë të ketë raporte shumë të mira me Krasniqin dhe se ka raste kur takohet me të tri- katër herë në ditë.
Kryeministri është shprehur i gatshëm që të kërkojë sqarimin e imunitetit të deputetëve te Gjykata Kushtetuese nëse një gjë të tillë ia obligon Kuvendi i Kosovës. Në të kundërtën, thotë se nuk i përzihet Kuvendit në vendimet e tij.