19 Janar 2025

Thaçi: Nobelin e meritojnë qytetarët e Kosovës

Prishtinë, 24 dhjetor - Pas marrjes së lajmit për nominim për Çmimin Nobel për Paqe, kryeministri Hashim Thaçi përmes një postimi në rrejtin social Facebook, ka theksuar se pavarësisht çka ndodh tutje, Nobelin për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër, e meritojnë qytetarët e Kosovës.

“Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim”, thuhet në reagimin e kryeministrit Thaçi.

Shkrimi i plotë i kryeministrit Thaçit në Facebook:

Dje mora lajmin për nominimin për Çmimin Nobel për Paqe nga Kongresi Amerikan. Sigurisht që u ndjeva i nderuar. Dua t’ju flas nga zemra: pavarësisht çka ndodh tutje, Nobelin për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër, e meritoni Ju, qytetarë të Kosovës.

E meritojnë mësuesit që me vetëmohim hapen shkollat e para, e na mësuan gjuhën dhe historinë tonë. Profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, që çdo ditë ecnin në teh të rrezikut, që krahas dijes na edukuan me atdhedashuri e dinjitet.

E meritojnë mjekët, që na shëruan plagët, ushtarët që në altarin e atdheut dhanë jetën për liri duke u bërë dëshmorë të përjetshem, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve - heronjtë e lirisë së Kosovës, që janë themeli i shtetit tonë të ri.

Ju qytetarë të Kosovës jeni heronjtë e vërtetë të heshtur, heronjtë e Nobelit të lirisë së Kosovës dhe paqes në Europë.

Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim.

Një shpresë e rilindur, një mundësi më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë ka qenë dhe mbetet motivi im i vetëm jetësor dhe politik. Besimi i juaj në këtë rrugëtim është vlerësimi më i lartë për mua. Të tjerat kanë më pak rëndësi.

Prandaj nominimi për Nobel ju takon juve qytetarë të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)