Thaçi njofton Pier Mirel për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë
Prishtinë, 5 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Thaçi e njoftoi Mirel për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të dy vendeve si dy shtete të pavarura, për reformat që janë ndërmarrë në të gjitha fushat me rëndësi për rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Gjatë takimit u vlerësua se zgjedhjet e djeshme ishin një test i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kjo garë u cilësua si demokratike në të cilën u dëshmua edhe njëherë pjekuria dhe niveli shumë emancipues i qytetarëve të Kosovës, me pjesëmarrje për herë të parë edhe të komunave veriore të Kosovës.
Po ashtu u vlerësua edhe roli lehtësues i OSBE-së dhe të gjithë mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, për një proces të mirëfilltë demokratik.
Kryeministri Thaçi falënderoi Pierre Mirel, për mbështetjen që po i jep Komisioni Evropian, Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, përmes hapjes së negociatave për procesin e Stabilizim Asociimit dhe procesin e liberalizimit të vizave, si një hap shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
Nga ana e tij, drejtori i Ballkanit Perëndimor Perre Mirel, falënderoi kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për lidershipin e treguar në të gjitha proceset me rëndësi për Kosovën me theks të veçantë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.