16 Janar 2025

Thaçi njoftoj ambasadorët e Kuintit për procesin e dialogut

Prishtinë, 27 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot në takime të ndara ambasadorët e vendeve të Kuintit, si dhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë.

Temë kryesore e takimeve ishte dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Kryeministri Thaçi në dy takimet i njoftoi ambasadorët për takimin e shtatë me kryeministrin e Serbisë, të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton.

Z.Thaçi theksoi se takimi është përcjellë me gatishmërinë për të lëvizur përpara, dhe ka shtuar se megjithëse është shënuar progres, ende nuk është arritur marrëveshja.

Me theks të veçantë në takimin mes dy kryeministrave në Bruksel është biseduar për integrimin e plotë të pjesës veriore të vendit në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Lidhur më këtë çështje kryeministri Thaçi ka theksuar se “ky integrim do të ndodhë përmes vendosjes së rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës, përmes zbatimit të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, duke ruajtur karakterin unik të sistemit tonë të drejtësisë dhe rendit, me hierarki të plotë institucionale të nivelit qendror dhe lokal, duke mos lejuar pushtet të ndërmjetëm dhe duke i shpërbërë plotësisht strukturat ilegale të sigurisë dhe drejtësisë”.

Në takime kryeministri Thaçi ka shprehur shpresën që, në takimin e ardhshëm që do të zhvillohet më 2 prill në Bruksel, të tregohet vullnet dhe përgjegjësi për rrethanat, kushtet dhe ambientin e ri dhe Serbia të kuptojë dhe të tregojë gatishmërinë e saj për fqinjësi të mirë edhe me Kosovën, të tregojë gatishmërinë e saj për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Nga ana e tyre, ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe ata të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë, u shprehën me vlerësime të larta për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të kryeministrit Thaçi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Integrimi i pjesës veriore të Kosovës do të bëhet duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës, - theksuan ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe ata të BE-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)