Thaçi niset për në Vjenë, në samitin për Ballkanin Perëndimor
Prishtinë, 26 gusht - Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, ka udhëtuar sot për në Vjenë, ku, së bashku me kryeministrin Isa Mustafa dhe delegacionin e Kosovës, do të marrin pjesë në samitin treditor për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Pritet që zëvendëskryeministri Thaçi dhe kryeministri Mustafa të nënshkruajnë disa marrëveshje të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Në ditën e dytë të Samitit, zëvendëskryeministri Thaçi do të jetë pjesë e panelit të shefave të diplomacive të shteteve të rajonit mbi Dialogun mes feve dhe luftën kundër ekstremizmit, të drejtuar nga ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.
Në këtë samit do të marrin pjesë edhe krerët e vendeve organizatore të samiteve të vitit të shkuar dhe të sivjetmë, Gjermanisë dhe Austrisë, me në krye presidentin Heinz Fischer.
Pastaj edhe krerët e vendeve që do ti organizojnë samitet e radhës në vitet që vijnë, Francës dhe Italisë, por edhe ata të shteteve që e përkrahin Procesin e Berlinit, Sllovenisë e Kroacisë, bashkë edhe me shumë anëtarë të Komisionit Evropian dhe presidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Samiti i sivjetmë në Vjenë për shtetet e Ballkanit Perëndimor është i ndarë në tre nivele: për kryeministra, për ministra të jashtëm dhe për ministra të ekonomisë, kurse tema kryesore të tij do të jenë infrastruktura dhe ndërlidhja, bashkëpunimi rajonal, rinia dhe sfida e refugjatëve.
Zëvendëskryeministri Thaçi bashkë me kryeministrin Mustafa do të kenë edhe drekë pune me nikoqirët e samitit, presidentin Fischer dhe me ministrin Kurz.