Thaçi: Nëse preken kufijtë, shqiptarët jetojnë në një shtet
Prishtinë, 15 mars - Kryeministri Hashim Thaçi, ka kundërshtuar ekzistimin e çfarë do mundësie për dialog rreth çështjes së veriut të Kosovës.
Kryeministri Thaçi tha se Qeveria e Kosovës mund të dialogoj vetëm me qytetarët e saj dhe me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Kosovës.
Takime kontakte, dialog i brendshëm me qytetarët shtetas të Republikës së Kosovës, që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, për ti dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen në mënyrë që të integrohen dhe të marrin pjesë në Institucionet e Republikës së Kosovës por në asnjë mënyrë me Serbinë, tha kryeministri Thaci.
Shefi i ekzekutivit Hashim Thaçi, ka kundërshtuar edhe mundësinë e një autonomie substancial për veriun e Kosovës. Ndërkaq lidhur me pretendimet për ndryshimin e kufijve në Ballkan, ai tha se Qeveria e Kosovës i ka njohur edhe faktorët ndërkombëtar se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për shqiptarët.
Edhe sa i përket pretendimeve për ndryshime të kufijve apo pretendime territoriale, unë u kam bërë të qartë në emër të qeverisë së republikës së Kosovës gjithë miqve ndërkombëtar mesazhin e institucioneve dhe popullit të Kosovës se shqiptarët më së miri mund të jetojnë në një shtet të vetëm, theksoi Thaçi.