Thaçi: Nëse nuk arrihet marrëveshja të gjithë do të jemi të dëmtuar
Prishtinë, 5 prill - Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë ku ka folur për takimin e fundit me kryeministrin serb në Bruksel ka thënë së arritja e marrëveshjes hapë një perspektivë të gjithanshme, një perspektivë që nuk do të mund të ndalet, që nuk do të mund të krijojë situata të tjera të ngrirjes së gjërave, por të lëvizjes progresive, lëvizjes përpara.
"Në rast të mosarritjes së marrëveshjes, nuk do të ketë fitues, të gjithë do të jemi të dëmtuar. Ne kemi qenë kreativë, aq sa na ka lejuar Kushtetuta dhe ligjet tona. Por, në të njëjtën kohë është me rëndësi që interesi qytetar i të gjithëve, pa dallim etnik, interesi për të ardhmen evropiane të vendeve tona, interesi për ngadhënjimin e vlerave euroatlantike, të dominojë si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd."
"Në mënyrë që të mos mbesim peng në vendimmarrje të politikave ditore, të politikave elektorale, por, vendimmarrja të jetë në interesin e vendeve dhe gjeneratave të ardhshme dhe në asnjë rrethanë të mos mbesim viktimë e së kaluarës. Në këtë drejtim, shpresoj se në ditët e ardhshme do të kemi edhe lëvizje pozitive, që do të përafrojnë qëndrimet dhe arritjen e marrëveshjes theksoi Kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi edhe një herë përsëriti se pozicioni i Kosovës është në pajtueshmëri me parimet dhe qëndrimet e prezantuara edhe nga BE-ja.
Në mbledhjen e rregullt të qeverisë, kryeministri Thaçi tha se takimi i fundit ishte maratonik dhe jo i lehtë. Edhe ai shpreson se në ditët e ardhshme procesi do të rezultojë me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, megjithatë potencoi se vendimet që do të merren nuk do të jenë të lehta.
Vendimet që do të merren ditëve të ardhshme nuk do të jenë të lehta për asnjë lider dhe institucione. Por, dua të shpresoj se do të lëvizim drejtë një vendimmarrje që i hap perspektivë qytetarëve tanë pa dallim etnik, një vendimi që do të ndryshojë jetën e njerëzve për të mirë, tha ai.
Sipas kryeministrit Thaçi, procesi i dialogut ka marrë mbështetje të plotë është na vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, ai tha se nëse marrëveshja dështon, atëherë të gjithë do të dëmtohen nga ai dështim.
Është jashtëzakonisht me rëndësi që BE, 22 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe 5 të tjera që janë në proces të njohjes, kanë qenë unik në qëndrimin e tyre për mbështetjen e plotë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Por, në rast të mosarritjes së marrëveshjes nuk do të ketë fitues, të gjithë do të humbim, theksoi ai.
Ai edhe një herë përsëriti se asociacioni do të jetë në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Sistemi i drejtësisë do të jetë unik, Kosova do ta ketë një sistem policor dhe një zinxhirë komandues si dhe do të ndodhë shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të Serbisë.