18 Janar 2025

Thaçi në një drekë pune me Presidentin Pahor

Prishtinë, 11 shtator - Në drekën e shtruar nga Kryeministri Thaçi për nder të Presidentit Pahor është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.

Kryeministri Thaçi e ka njoftuar Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor me të arriturat e shtetit të Kosovës, me procesin e konsolidimit të insitucioneve demokratike të Kosovës, me reformat që janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në politikë, ekonomi dhe legjislacion, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe lidhur me integrimin afirmativ të të gjithë komuniteteve në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Të gjitha këto të arritura, shtoi Kryeministri Thaçi, janë në funksion të përmbushjes së vullnetit dhe obligimeve shtetërore të Kosovës, që dalin nga agjenda evropiane e integrimit.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Kryeministri Thaçi ka theksuar se dy prioritetet kryesore të Republikës së Kosovës për këtë periudhë janë negocimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave.

Me këtë rast, Kryeministri Thaçi ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbylljen me sukses të këtyre dy proceseve të rëndësishme në kuadër të agjendës evropiane të Kosovës.

Në takim, Kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që këto marrëdhënie të zgjerohen edhe më shumë, në fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik, të arsimit, të kulturës dhe në fushat tjera.

Republika e Sllovenisë është ndër vendet e para që ka njohur Republikën e Kosovës dhe për këtë institucionet dhe populli i Kosovës do të jetë mirënjohës përgjithmonë – ka theksuar Kryeministri Thaçi dhe ka shtuar se përvoja e Sllovenisë në përmbylljen me sukses të procesit të integrimit evropian dhe tani suksesi i dëshmuar si anëtar i Bashkimit Evropian është një shembull i mirë edhe për rrugën që është duke ndjekur shteti i Kosovës në kuadër të këtij procesi të rëndësishëm.

Duke folur për Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Thaçi ka potencuar se arritja e kësaj marrëveshje është një hap i rëndësishëm përpara për të dy vendet dhe për rajonin në tërësi.

Fryma e institucioneve të shtetit të Kosovës është fryma evropiane e forcimit të bashkëpunimit rajonal, si parakusht për suksesin e agjendës evropiane të rajonit. Në këtë drejtim, institucionet e Kosovës me përkushtim dhe me veprime konkrete do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara për instalimin e këtij mentaliteti evropian edhe në këtë pjesë të Evropës – u shpreh Kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor e ka falënderuar Kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt dhe ka theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sllovenisë janë të shembull i mirë i marrëdhënieve ndërshtetërore. 

Në takim me Kryeministrin Thaçi, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka vlerësuar lartë përkushtimin e Kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Z.Pahor ka theksuar se arritja e marrëveshjes ndërshtetërore për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, është një fillim i mbarë për perspektivën evropiane të rajonit në tërësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)