Thaçi: Në këtë ditë përulemi para atyre që dhanë për Kosovën
Prishtinë, 17 shkurt - Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, i ka uruar qytetarët për 17 shkurtin, për Ditën e Pavarësisë.
Thaçi në profilin e vet në Facebook ka shkruar se akti solemn i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës 8 vite më parë është padyshim një ndër arritjet më të madhe historike të kombit tonë. Kjo ngjaje është festë e madhe për të gjithë shqiptarët, prandaj urimet e mia të përzemërta ua dërgoj shqiptarëve të të gjitha trojeve dhe të diasporës. Këto tetë vite të shtetit tonë dëshmojnë se projekti i suksesshëm i Kosovës si shtet sovran e i pavarur, përveçse ishte një domosdoshmëri historike që mundësoi vënien në vend të një padrejtësie shekullore, është edhe një model për gjithë rajonin për sa i përket fqinjësisë së mirë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe pakicave si dhe harmonisë fetare, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se në këtë ditë të shënuar përulemi para atyre qindra dhe mijëra djem e vajzave, burrave e grave, që me përpjekjet e tyre të pareshtura duke mos kursyer as jetën, i sollën lirinë vendit tonë.
Në respekt ndaj tyre, dhe për hir të fëmijëve tanë e brezave që do vijnë, ne duhet ta festojmë këtë ditë me krenari e përgjegjësi. Mirënjohje të madhe shprehim edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë, ndihmën e të cilëve e shohim si obligim për të punuar më shumë. Atyre sot u themi se tek Kosova do të gjejnë gjithmonë një partner të besueshëm, që është renditur pas asnjë mëdyshje në anën e drejtë të historisë, në anën e atyre vendeve që synojnë të promovojnë lirinë, demokracinë dhe paqen, ka deklaruar Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se shteti ynë i ri ka ende shumë sfida të trashëguara e të reja për të përballur, por sipas tij, historia që kemi lënë pas na tregon se kemi kapërcyer vështirësi edhe më të mëdha se këto. Jam i bindur se të bashkuar ne do ia dalim që ta bëjmë Kosovën një vend me demokraci dhe ekonomi të zhvilluar, anëtare të denjë të komunitetit euroatlantik. Miq të dashur kjo është toka jonë e lirë, ky është shteti ynë i pavarur, këto janë institucionet tona demokratike, jemi ne ata që duhet ti dalim zot shtëpisë sonë, ka thënë Thaçi.