Thaçi në interpelancë lidhur me bisedimet me Serbinë
Prishtinë, 3 maj - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e 5 majit do të paraqitet në interpelancë lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare, e cila ka përcaktuar rendin e ditës për mbledhjet plenare të 5 dhe 6 majit.
Në të njëjtën seancë, ndërkaq do të shqyrtohet Raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2010, si dhe do të procedohet me pikat e përhershme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Në seancën vijuese të 6 majit do të ratifikohen gjashtë marrëveshje ndërkombëtare: Marrëveshja për financim dhe grante ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore e 11 marsit 2011, Marrëveshja në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe UNCTAD (Agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara për projektin softueri ASYCUDA), Marrëveshja për financimin e projektit për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastër në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe Shoqatës ndërkombëtare për zhvillim dhe Marrëveshja në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe KfW- Frankfurt am Main dhe Kompanisë së Ujësjellësit rajonal-Prishtina.
Pastaj marrëveshja bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukës të Madh të Luksemburgut dhe Marrëveshja për financimin e projektit për modernizimin e sektorit publik në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe Shoqatës ndërkombëtare për zhvillim. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të miratohen me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në po këtë seancë do të debatohet lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit, Nait Hasani, e mbështetur edhe nga deputetë të tjerë. Në vazhdim të seancës, ndërkaq, do të shqyrtohen raportet vjetore për vitin 2010 të: Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina dhe Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është shqyrtuar Propozimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e një anëtari të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, si dhe propozimi i Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.