Thaçi në Hungari: E kemi vendin në Bashkimin Europian
Budapest, 10 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi është cituar nga shumë media gjatë vizitës zyrtare në Hungari, ku ka takuar përfaqësuesit më të lartë shtetëror.
Duke folur për integrimet evropiane, Thaçi për të përditshmen hungareze Magyar Hírlap ka thënë se Kosova ka ndërtuar me sukses institucionet demokratike. Tani sipas tij, prioritet kryesor i Kosovës është anëtarësimin në BE dhe NATO, transmeton KosovaPress.
Ai ka folur edhe për shtetet fqinje dhe marrëdhëniet që ka ndërtuar shteti i Kosovës me to. Duke folur për portalin hungarez të lajmeve Index, Thaçi ka theksuar se Serbia është rob i së kaluarës dhe për këtë arsye e ardhmja dhe stabiliteti i gjithë rajonit është në rrezik.
Thaçi ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Sipas Thaçit, Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kushtet.
Ne nuk kërkojnë një procedurë të veçantë, kërkojmë vetëm që të vlerësohen të arriturat tona, ka thënë Thaçi për portalin tjetër të lajmeve Origo.
Gjatë qëndrimit në Hungari, Thaçi ka zhvilluar një takim bilateral edhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó, si dhe me sekretarin hungarez të Shtetit për zhvillim ekonomik, János Fónagy.
Gjithashtu, Thaçi ka mbajtur po ashtu edhe një ligjëratë para studentëve në Universitetin Kombëtar të Shërbimeve Publike në Budapest (National University of Public Service NUPS), të organizuar nga Instituti për Punë të Jashtme i Hungarisë. Ndërsa, sot do të takohet edhe me kryeministrin e Hungarisë dhe me kryeparlamentarin e këtij shteti.