Thaçi: Ne do të ndihmojnë rritjen e bizneseve kosovare
Prishtinë, 11 prill - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar Kolegjin AAB, ku para studentëve dhe profesorëve të këtij kolegji ka zhvilluar një ligjëratë për vizionin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit.
Fjala e plotë e kryeministrit Hashim Thaçi para studentëve dhe profesorëve të Kolegjit AAB:
Studentë të nderuar,
Profesor të nderuar,
Për mua sot është një kënaqësi e veçantë të jem në mesin tuaj. Në mesin e studentëve dhe profesorëve të Kolegjit AAB.
E thatë edhe ju në fillim se u bënë trembëdhjetë viti që nga themelimi I universiteti, trembëdhjetë vite të funksionimit, trembëdhjetë vite të suksesit. Këto vite ndërlidhen drejtpërdrejt me vitet Kosovën së re, Kosovës së pavarur, Kosovës evropiane.
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj dhe për angazhimin tuaj akademik.
Unë dua të flas me ju sot për potencialet zhvillimore të Kosovës. Dua të flas rreth asaj se si e shoh unë të ardhmen e shtetit tonë. Ne jemi një vend i gatshëm për të ecur përpara. Tani është koha për të shpalosur dhe për ta qartësuar vizionin tonë për të ardhmen.
Në vitet e fundit kemi ndërtuar baza të shëndosha për zhvillim të hovshëm ekonomik: kemi ndërtuar institucionet e shtetit, kemi investuar në infrastrukturë masive dhe kemi rrumbullakuar sovranitetin territorial.
Ne kemi qenë gjithmonë një vend me vizion të qartë. Së pari ne e synuam pavarësinë tonë dhe nisëm rrugëtimin drejt përmbushjes së këtij qëllimi.
Dhe ne këtë e arritëm. Sot vendi ynë është një vend i nderuar në familjen euroatlantike.
Pastaj ne u përqendruam në ndërtimin e një shteti me stabilitet afatgjatë, me institucione të forta, dhe me një pozitë në skenën botërore.
Ia arritëm edhe këtij qëllimi.
Prandaj, më lejoni të diskutojmë për hapat tonë të ardhshëm për konsolidimin e mëtejshëm të vendit.
Ne do ta ndërtojmë një Kosovë moderne. Një shtet me një ekonomi të fortë. Një vend që merr vendin e tij në mesin e kombeve të zhvilluara evropiane.
Ne do të ndihmojnë rritjen e bizneseve kosovare, do ti mbështesim ndërmarrësit, dhe do ta materializojmë plotësisht potencialin e bujqësisë dhe të industrisë sonë.
Prodhimet kosovare do të shijohen në mbarë botën. Kompanitë e huaja do të duan të investojnë edhe më shumë në burimet tona natyrore. Dhe e gjithë kjo do të krijojë vende të reja pune. Mbi të gjitha, vende pune.
Vende pune në qytetet tona, vende pune në fshatrat tona, vende pune për të rinjtë dhe vende pune për të moshuarit.
Gjatë këtyre ditëve takova sipërmarrës të rinj dhe dinamikë të cilët po ndërtojnë kompani nga zeroja. Ata i kapin me shkathtësi rastet që u ofrohen. Unë kam besim që edhe ju student të rijnë, do të jeni nga ata që do të shfrytëzoni mundësitë dhe shkathtësitë tuaja të jashtëzakonshme që do të ju afrohen në shtetin tonë për ju dhe familjet tuaja.
Javën e shkuar u takova me përfaqësuesit e një kompanie të re në Prishtinë e cila përfitoi më së miri nga boshllëku i kreativitetit në tregun e taksive në qytet. Së këndejmi, ata filluan biznesin e shërbimit me biçikleta taksi për një çmim prej vetëm 1 euro kudo në qytet. Pas më pak se një viti ata tani kanë një numër të madh biçikletash dhe punësojnë 40 persona.
Kam vizituar edhe një zinxhir të dyqaneve të çokollatës, ca kompani të lëngjeve frutash, fabrikat kosovare të birrave, kompanitë e teknologjisë, stilistë të modës së fundit, e kështu me radhë. Kudo kam takuar vajza dhe djem me shkathtësi të jashtëzakonshme dhe brilante. Biznese këto të gjitha të udhëhequra nga ndërmarrës ambiciozë. Sipërmarrës të cilët gjithmonë kërkojnë çdo rast për ti rritur bizneset e tyre, për të hapur më shumë shitore, për të punësuar më shumë njerëz.
Sipërmarrja është vetëm një pjesë e potencialit tonë. Vizitoj fermat tona, industritë tona, dhe fabrikat tona. Vizitoj projekte të mëdha të së sotmes dhe të ardhmes siç është Trepça, dhe angazhohem në projektimin e projekteve të së ardhmes të tillë si Qendra e skijimit në Brezovicë. Projekt ky, ku parashihen 300 milion euro investime dhe hapja e 3000 vendeve të reja të punës.
Në të gjitha këto vende unë shoh mundësi për zhvillimin e vendit. Ne kemi një nga popullsitë më të reja në botë, jemi ndër njerëzit më dinamikë, dhe e kemi një tokë të pasur me burime natyrore. Tani ne kemi nevojë për një vizion për ta realizuar këtë potencial. Kemi nevojë për një vizion dhe duhet të shfaqim vendosmëri të palëkundur për ta shndërruar atë në realitet. Një vizion po të njëjtin me vizionin tonë të pavarësisë. Një vizion po të njëjtin me vizionin tonë të shtetësisë.
Kjo është arsyeja pse unë e kam shpallur planin tim për krijimin e një fondi zhvillimor dhe investiv nga mjetet që i kemi në banka të huaja me kamata shumë të ulëta kursimi. Dua t\'i riatdhesoj këto mjete në ekonominë kosovare, meqë kjo mundëson investim prej 1.5 miliardë euro në Kosovë. Një investim që do të jetë në harmoni me vizionin tonë. Pra, ky është Fondi i Ri i Punësimit.
Këto janë para që Kosova i ka tashmë në llogaritë bankare evropiane. Dhe ka ardhur koha që ti sjellim këto para në shtëpi, dhe ti përdorim ato për ta ndërtuar Kosovën e së nesërmes.
Këto para do të investohen në bizneset e vogla dhe ato të mëdha. Paratë do të investohen në të mirën e ndërmarrësve sikurse ata që i përmenda sot.
Këtë investim dhe këtë Fond do ta krijojmë me miq dhe ekspertë nga bota. Për këtë çështje kam biseduar edhe me Presidentin Clinton dhe bankat zhvillimore evropiane. Pres edhe mjete shtesë nga donatorët.
Unë sot udhëtojë për një vizitë në Japoni ku do të diskutojmë edhe mundësinë që kompanitë dhe investitorët nga Japonia ta mbështesin këtë fond.
Do tu japim atyre përkrahjen që u duhet për të fuqizuar bizneset e tyre dhe për të punësuar më shumë njerëz. Kompanitë e mëdha do të përfitojnë nga këto para për tu zgjeruar dhe për ti realizuar ambiciet e tyre në tregun global. Dhe ne do të investojmë në bujqësinë dhe industrinë tonë. Bujqit do të përfitojnë me një investim shtesë për çdo hektar të tokës në pronësi të tyre. Ata mund ti përdorin këto para për të rritur rendimentin e tyre, për të blerë makineri të re, për të rritur prodhimin, siç e shohin ata më së miri.
Ky është qëllimi i Fondit të Ri të Punësimit. Synimi ynë është të zhbllokojmë potencialin e njerëzve të Kosovës.
Nuk i takon Qeverisë tu thotë qytetarëve të Kosovës se Qeveria i di punët më së miri. Ne duam të fuqizojmë bujkun, sipërmarrësin dhe biznesmenin. Tu japim atyre investimin e duhur për ti rritur bizneset e tyre. Fondi i Ri i Punësimit është një investim ambicioz për një popull ambicioz.
Unë besoj në këtë vizion dhe këtë MISION TË RI për Kosovën. Ky është një vend që i ka arritur gjithmonë aspiratat e tij të larta. Sot ne po i kthehemi së ardhmes dhe një qëllimi të ri. Ne besojmë në potencialin tonë, dhe tani ne do ta materializojmë atë në tërësi.
Ju faleminderit shumë për vëmendjen tuaj! ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në ligjëratën e tij para studentëve dhe profesorëve të Kolegjit AAB.
Në vazhdim kryeministri është përgjigj në pyetjet dhe interesimin e madh të studentëve të këtij Kolegji. Kryeministri ka zhvilluar edhe një diskutim të veçantë me studentët e nivelit master të këtij kolegji, duke u fokusuar në funksionimin e Fondit të Ri të Punësimit.