Thaçi: Në Bruksel nuk do të flitet për statusin
Zagreb, 6 nëntor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në takimin e nesërm me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel do të bisedojë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, por nuk do të flitet për statusin e Kosovës.
Në konferencën për gazetarë në Zagreb, pas takimit me kryeminstrin kroat, Zoran Millanoviq, Thaçi ka theksuar problemet që duhet ti zgjidhë Beogradi, në mënyrë që dialogu të ketë sukses.
E para që duhet të ndodhë është zbatimi i marrëveshjeve teknike tëë arritura në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në dy vitet e kaluara dhe ajo që duhet të ndodhë në mënyrë urgjente është largimi i strukturave paralele të sigurisë, mbetjet e Millosheviqit në Kosovës, për të cilat gjithë bota e di, se financohen e kontrollohen nga Serbia, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, një çështje tjetër që në mënyrë urgjente të zgjidhet është fati i më shumë se 1800 të pagjeturve në Kosovë. I pyetur, nëse është i gatshëm që me Daçiqin të flasë për platformën e Serbisë për Kosovën, Thaçi ka thënë se Serbia nuk ka të drejtë morale, politike e as ligjore që të zgjidhë çështjen e Kosovës.
Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë së saj, është shprehur Thaçi.
Kryeministri i Kroacisë, Zoran Millanoviq ka thënë se beson se qeveria në Beogard do të jetë pragmatike në bisedimet me Prishtinën.
Ai ka thënë se Kroacia është e gatshme që të ndihmojë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, po që se të dy palët kanë besim, por, që nuk dëshiron që këtë gjë ta imponojë.
Kryeministri Thaçi dhe homologu i tij kroat, kryeministri Milanoviq biseduan për situatën në rajon, për politikën, për marrëdhëniet dhe stabilitetin në rajon, për bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimin tregtar dhe investimet.
Kryeministri Thaçi ka marrë premtimin e kryeministrit Milanoviq se Kroacia do ta përkrahë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.
Në konferencën e përbashkët për media, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se e ka njoftuar kryeministrin Milanoviq për rrjedhën e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për institucionet e Republikës së Kosovës është i domosdoshëm largimi i strukturave paralele nga veriu i vendit, të cilat janë mbetje të Millosheviqit, për të cilat gjithë bota e di, se financohen e kontrollohen nga Serbia ka potencuar kryeministri Thaçi, dhe ka shtuar se një çështje tjetër që në mënyrë urgjente duhet të zgjidhet është fati i më shumë se 1800 të pagjeturve në Kosovë.
I pyetur për takimin e nesërm me kryeministrin serb, Ivica Daçiq në Bruksel, kryeministri Thaçi tha do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk do të bisedohet për statusin e Kosovës.
Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë së saj, është shprehur z.Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka shprehur optimizëm se ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke mes dy shteteve.
Kryeministri Thaçi sot është pritur edhe nga Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko. Në takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Kroacisë dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.
Kryeministri Thaçi në takim pasi i vleësoi lartë raportet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Kroacisë, u shpreh për thellimin e mëtejmë të këtyre raporteve, me theks të veçantë forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko në takim me kryeministrin Thaçi potencoi se Kroacia e përkrahë konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, dhe në këtë kuadër, shtoi z.Leko perspektiva e Kosovës është perspektiva e anëtarësimit në BE dhe në NATO.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi nesër do të zhvillojë një takim në Zagreb me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq.