Thaçi: Ndarja e Kosovës ndryshon kufijtë në Ballkan
Prishtinë, 6 mars - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndarja e Kosovës do ta hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan, dhe prandaj askush nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje.
Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht, dhe Kosova me këto kufij do të integrohet në NATO dhe BE, ka thënë Thaçi për agjencinë Beta.
Ai ka thënë se gjendja e sigurisë është stabile dhe ndër sfidat më të rëndësishme është integrimi i pjesës veriore dhe zbatimi i ligjit në këtë pjesë të vendit.
Serbët e Kosovës do ti realizojnë të drejtat e tyre në mënyrën më afirmative në kuadër të respektimit të plotë të integritetit territorial të Kosovës, të forcimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe respektimit të plotë të planit të Ahtisarit, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, Kosova është e gatshme që të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kurrë nuk do të pranojë të bisedojë për statusin e Kosovës. Mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura për çështjet konkrete në interes të dy vendeve tha Thaçi.