Thaçi morri premtime për njohje të reja për shtetin e Kosovës
Prishtinë, 10 maj - Në vazhdën e takimeve në Konferencën Ndërkombëtare për Vendet në Zhvillim, organizuar nga OKB-ja, që po mbahet në Stamboll, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi takime me liderë pjesëmarrës në këtë konferencë.
Kryeministri Thaçi u takua me kryetarin e Turqisë, Abdullah Gül, sekretarin Gjeneral të Asamblesë së Përgjithshme, Joseph Deiss, me sekretarin Gjeneral të Unionit Afrikan Mohamed Ibn Chambas, udhëheqësin e St. Vincente dhe Grenadines, Frederick Ballantyne, kryeministrin e Republikës Demokratike të Kongos, Adolphe Muzito dhe me kryeministrin e Taxhikistanit Oqil Oqilov.
Në këto takime kryeministri Thaçi i njoftoi për progresin e arritur në Kosovë, për stabilitetin që ka krijuar shteti i ri i Kosovës dhe për nevojën e njohjeve të mëtutjeshme nga qeveri dhe vende anëtare të OKB-së.
Në të gjitha takimet kryeministri Thaçi kërkoi që qeveritë përkatëse ta njohin Republikën e Kosovës. Nga shumica prej liderëve me të cilët u zhvilluan takimet u dhanë premtime se në të ardhmen do të shqyrtohet njohja e pavarësisë së Kosovës.