Thaçi mori pjesë në përurimin e objektit të Komunës së Graçanicës
Prishtinë, 23 korrik - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në përurimin e objektit të ri të Komunës së Graçanicës. Në këtë ceremoni inauguruese morën pjesë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, zëvendëskryeministri Slobodan Petroviq dhe ministrja e Ministrisë së Integrimit Evropian, Vlora Çitaku.
Kryeministri Thaçi përgëzoi të gjithë të pranishmit, duke thënë se këtu, para tri vitesh, së bashku me z. Fule dhe z. Barroso kishim vënë gur themelin e këtij objekti madhështor.
Ndërtimi i këtij objekti madhështor dhe shumë bashkëkohor, i standardeve më të larta, është shembulli më i mirë se ne po punojmë për Kosovën evropiane, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky objekt dhe shumë projekte tjera që janë realizuar në Graçanicë, si ndërtimi i rrugëve të reja, objekteve shkollore, kanalizime e ujësjellës, janë shembulli më i mirë i investimeve të Qeverisë së Kosovës dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me autoritetet komunale në shërbim të nevojave e qytetarëve të Graçanicës.
Kryeministri Thaçi tha se para disa vitesh ne shënuam një fillim të ri, një fillim të punës së përbashkët për një të ardhme të përbashkët të qytetarëve të Kosovës.
Me tutje, kryeministri Thaçi u shpreh se zotimi im sot si kryeministër i Republikës së Kosovës, është se ne do të jemi afër të gjithë qytetarëve të vendit, në Graçanicë dhe kudo, në Mitrovicë, në Zveçan, Leposaviq, për të investuar për një të ardhme më të mirë, më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kosova është atdheu ynë dhe ne duhet ta ndërtojmë bashkërisht. Kosova po shënon hapa të suksesshëm për të ardhmen e saj evropiane edhe në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë në procesin që ka filluar dhe po vazhdon me sukses, tha Kryeministri Thaçi, duke ftuar të gjithë qytetarët, që ti bashkëngjiten këtyre angazhimeve të përbashkëta për një jetë të re, një jetë të përbashkët, për një të ardhme të sigurt të të gjithë qytetarëve në vendin tonë.