Thaçi: Misioni i Ri është për qytetarët
Prishtinë, 20 maj - Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të martën zyrtarisht e ka nominuar për të tretën herë liderin e saj, Hashim Thaçi, kandidat për kryeministër për zgjedhjet e parakohshme parlamentaretë cilat do të mbahen më 8 qershor.
Para lidershipit dhe mijëra simpatizantëve të PDK-së në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Thaçi ka prezantuar Misionin e Ri, i cili sipas tij, ka synimin zhvillimin e ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Thaçi ka thënë se ky mision ka të bëjë drejtpërdrejt me qytetarët e Kosovës. Unë kërkoj mbështetjen tuaj për misionin tonë të ri, zhvillimin e hovshëm ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Ky mision është po aq i rëndësishëm sikurse ato misione që i realizuam deri sot. Dy misionet e para kishin të bënin me shtetin tonë, ky mision, misioni i ri ka të bëjë drejtpërdrejt me ju, qytetarët e Kosovës, ka thënë
Thaçi, duke shtuar se misioni i ri u kushtohet familjeve të palodhshme kosovare.
Thaçi më pas ka folur për programin e tij dhe kohën kur para shtatë vjetësh është zgjedhur për herë të parë kryeministër.
Aso kohe isha shumë më pak i thinjur, por kisha besim dhe mision të qartë. Para tre vjetësh dola para jush sërish. Kësaj here paksa edhe më i thinjur, por me një besim edhe më të fortë se çfarë do të bënim në Kosovë. Unë premtova se Kosova do bëhet e njohur ndërkombëtarisht dhe kjo ndodhi. Gjatë kësaj kohe ne ndërtuam universitetit, aeroporte, çerdhe, shkolla dhe ura, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se në mandatin e ri ka për synim që Kosova të ketë hov në zhvillimin ekonomik, duke krijuar kështu 200 mijë vende të reja pune. Gjithashtu ai ka premtuar se në bujqësi do të investojë 500 milionë euro.
Para se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi tju adresohej qytetarëve, është shfaqur një klip në të cilin janë përfshirë për herë të parë prindërit dhe familja e tij e ngushtë, bashkëshortja Lumja dhe djali Endriti, të cilët kanë folur për anën familjare të kryetari të PDK-së.