Thaçi mirëpret Kadri Veselin në PDK
Prishtinë, 26 mars - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për RTK, duke folur për zhvillimet e fundit, ka thumbuar pothuajse të gjithë kritikët e qeverisjes së tij, veçmas për fusnotën.
Edhe LDK edhe UÇK kanë pasur fusnota, ka thënë Kryeministri, duke kërkuar nga themeluesit e LDK-së ta shpjegojnë këtë.
Ai ka komentuar edhe vendimin për rastin Kleçka, duke e quajtur vendim të drejtë.
Ka pasur padrejtësi vazhdimisht me ngritjen e aktakuzave ndaj luftëtarëve të UÇK -së e cila ka zhvilluar një luftë të drejtë. Pretendimi për të bërë baraspeshë mes luftës çlirimtare dhe asaj gjenocidiale është i padrejtë. Limaj edhe në Hagë e ka fituar betejën. Edhe ditë më parë, vendimi i drejtë për Limajn dhe bashkëluftëtarët e tij dhe të mitë, ka thënë Kryeministri, raporton Indeksonline.
Thaçi nuk është përgjigjur drejtpërdrejt nëse Limaj ka vend në qeveri, por ka thënë se Zv.kryeministri Hajredin Kuçi, i prezanton qëndrimet e qeverisë, i cili pati deklaruar se Limaj e ka vendin në qeveri. Edhe për ish Shefin e SHIK-ut, Kadri Veseli ka shprehur mirëseardhje në PDK.
PDK-ja e mirëpret Kadri Veselin. Ai ka dhënë kontribut, madje para veprimtarisë së partive politike. Sepse është njëri prej kontribuesve të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës. Që në lëvizjet e para. Unë e kam mik të mirë. Është në vullnetin e tij si dhe kur do të hyj në politikë, ka thënë Kryeministri.