Thaçi: Miratimi i rezolutës legjitimim për shtetin e Kosovës
Prishtinë, 13 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të rregullt, të 144-tën me radhë, në të cilën kryeministri Hashim Thaçi ka informuar kabinetin qeveritar në mënyrë të hollësishme për miratimin e Rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Thaçi ka deklaruar se institucionet më të larta botërore e kanë legalizuar dhe legjitimuar në aspektin juridik dhe politik shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.
"Kjo rezolutë e ka legjitimuar përfundimisht politikisht mendimin e GJND-së. Me këtë OKB ka lëvizur pozitivisht në qëndrimin e saj në raport me Kosovën dhe u ka hapë rrugë edhe vendimeve tjera që e njohin vullnetin tonë për shtet të pavarur dhe sovran", ka theksuar ai.
Rezoluta sipas tij e fuqizon shtetin tonë dhe garanton plotësisht tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës.
Duke miratuar rezolutën që njeh mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Thaçi ka thënë se 192 shtete e kanë njohur vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, dhe kanë njohur sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Kosovës dhe ka shtuar se Serbia ka dhënë shenjat e para që në një formë e njeh pavarësinë e Kosovës.
Me këtë rast, kreu i ekzekutivit të vendit ka falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian për mesazhet që i kanë dhënë Beogradit, ndërkohë që u ka bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën që ta marrin sa më shpejtë një vendim të tillë.
Ai, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve tjera për të vazhduar qeverisjen e mirë, duke thënë se rezultat i saj është gjithë progresi i arritur në Kosovë.