Thaçi merr telegrame urimi nga homologë të tij
Prishtinë, 17 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ka pranuar telegrame nga homologë të tij nga shumë shtete.
Kryeministrin Thaçi e kanë përgëzuar kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i Çekisë, Jan Fischer, kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor dhe kryeministri i Hungarisë, Bajnai Gordon.
Në urimet e tyre me rastin e shënimit të dy vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të gjithë kryeministrat përgëzojnë kryeministrin Thaçi për sukseset e qeverisë që drejton në konsolidimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, si dhe vlerësojnë lartë të gjitha përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e institucioneve stabile dhe efektive, me qeverisje të mirë, sundim të rendit dhe ligjit dhe respektim afirmativ të komuniteteve.
Po ashtu, homologët i kanë shprehur kryeministrit Hashim Thaçi gatishmërinë e qeverive të vendeve të tyre për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen për qeverinë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, në rrugën drejt zhvillimit dhe integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.