17 Janar 2025

Thaçi: Menaxhimi i integruar i kufirit po implementohet në tërësi

Prishtinë, 17 korrik - Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës  së  Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore dhe vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe Ligjore.

Në hapje të mbledhjes kryeministri Hashim Thaçi, ka theksuar se është jashtëzakonisht me rëndësi që procesi i implementimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, ka filluar së implementuari me agjendë të plotë.

“Tanimë lëvizja e lirë ka shënuar progres. Policia dhe doganierët e Kosovës lëvizin lirshëm dhe shkojnë në pikën 1 dhe 31, dhe me ekipet tjera ndihmëse. Ka filluar së implementuari marrëveshja e menaxhimit të integruar të kufirit, që është standard evropian.

Ka mbetur të punohet më tepër në eliminimin e plotë të të gjitha barrikadave , kanë mbetur edhe dy të tilla që duhet të largohen. Kjo do të ndodh në konsultim të ngushtë edhe me komunitetin vendor por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë” – tha z.Thaçi

“Është jashtëzakonisht me rëndësi që të gjitha pikat policore apo punktet policore, stacionet policore që kanë qenë të strukturave paralele tani janë të mbyllura. Diçka e tillë është konfirmuar dhe verifikuar edhe nga Policia e Kosovës dhe nga ajo e EULEX-it. Ndërsa tash do të filloj faza tjetër, ajo e mundësisë së rekrutimit individual të qytetarëve të asaj pjese që dëshirojnë të integrohen  në Policinë e Kosovës. I gjithë procesi do të jetë transparent dhe i verifikuar prej autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare” – u shpreh kryeministri Thaçi.

Ai shtoi se në të njëjtën kohë, është shumë me rëndësi që të theksojë se tanimë është nxjerr vendimi i mospranimit të asnjë lënde në gjykatat në veri, ndërsa këto gjykata paralele do të mbyllen deri më 1 shtator”.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Thaçi ka informuar kabinetin qeveritar se “jemi duke punuar maksimalisht me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe me komunitetin lokal në veri që të përgatitemi sa më mirë për zgjedhjet e tre nëntorit”.

“Unë edhe sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ftoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje. Ftoj gjithë spektrin politik, edhe në veri, që të rris kujdesin për pjesëmarrje në zgjedhje, që të organizohen në subjekte politike, apo lëvizje qytetare, apo shoqata apo mekanizma tjerë që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ne i kemi bërë ftesë edhe bashkësisë ndërkombëtare për përcjelljen, vëzhgimin dhe monitorimin e tërë procesit."

"Një ftesë të tillë i kam bërë edhe baroneshës Ashton, në takimin e fundit që e kemi pasur në Prishtinë, që Bashkimi Evropian, mundësisht OSBE-ja apo ODIHR-i, të bëjë një vëzhgim dhe monitorim nga afër të gjithë procesit elektoral edhe në veri por edhe në gjithë hapësirën  e territorit të Kosovës, sepse është një provim jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe për ne, që zgjedhjet lokale të jenë fer, të lira, demokratike, të konkurrencës dhe të standardit evropian” – potencoi kryeministri Thaçi.

Në këtë drejtim, ka shtuar Kryeministri Thaçi, “kemi pasur mbështetjen e plotë edhe të spektrit politik kosovar. Prandaj, jemi duke punuar maksimalisht të gjithë bashkërisht që të ecim përpara drejt hapave të tjerë”.

Kryeministri Thaçi ka informuar kabinetin qeveritar se “nesër Prishtinën do ta vizitojë edhe komisionari Fule, i cili besojmë plotësisht se do të sjell edhe mesazhet shtesë të fuqizimit të rrugës evropiane të Republikës së Kosovës, qoftë për procesin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, apo për procesin më konkret, të liberalizimit të vizave” - ka thënë në fjalën e hapjes së mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)