03 Maj 2024

Thaçi: Menaxhimi i integruar i kufirit është model evropian

Prishtinë, 16 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka miratuar Projektligjin për Deminimin Humanitar, Strategjinë Minerare të Republikës së Kosovës dhe disa vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese e ligjore.

Projektligji për Deminimin Humanitar, i aprovuar sot nga kabineti qeveritar, rregullon aktivitetet e deminimit, që funksionojnë në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës e cila është miratuar nga Qeveria përcakton zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës në periudhën 2012-2025.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ridestinimin e mjeteve brenda vijave buxhetore të Autoritetit Rregullativ të Kosovës. Një vendim të ngjashëm, Qeveria ka aprovuar edhe për ridestinimet në vijat buxhetore të Policisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Qeveria e Kosovës ka emëruar Ahmet Zejnullahun kryeshef të Agjencisë Pyjore të Kosovës, ndërsa Murat Mehën ka emëruar kryeshef të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli ka njohur kabinetin qeveritar me planifikimin për aktivitetet lobuese për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri Pacolli ka theksuar se aktivitetet do të orientohen në vendet të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës dhe të cilat shtrihen në tri kontinentet e globit: Afrikë, Azi dhe Amerikë.

Zëvendëskryeministrja e Edita Tahiri ka informuar për procesin e dialogut teknik me Beogradin në Bruksel. Ajo ka theksuar se pas presionit të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, pritet vazhdimi i dialogut pa kushte. Në bisedimet e  ardhshme pritet që të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin regjional, telekomunikacionin, energjinë dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të insistojë që vazhdimi i dialogut duhet të përcillet edhe me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke komentuar temat e dialogut teknik me Beogradin, ka theksuar se për të kuptuar drejtë temën e diskutimit për menaxhimin e integruar të kufirit, do të ishte shumë me rëndësi që të lexohet mirë Ligji për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, sepse komentet e ditëve të fundit në lidhje me këtë çështje nuk përkojnë me realitetin. Menaxhimi i integruar i kufirit nuk nënkupton bisedimet për kufirin. Këto janë dy çështje të ndara, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

“Menaxhimi i integruar i kufirit është model evropian, i standardeve dhe kritereve të njëjta me të gjitha vendet fqinje, me Maqedoninë, me Shqipërinë, me Malin e Zi edhe me Serbinë.

Prandaj edhe njëherë e theksoj, duhet të jemi shumë të qartë, të gjithë njerëzit që kanë pasur dhe kanë përgjegjësi institucionale,shtetërore dhe politike, në asnjë rrethanë mos të kenë ngatërrim të termave, apo të pretendimit  për të shtrembëruar angazhimet tona, pra të mos ngatërrohet menaxhimi i integruar i kufijve me çështjen e kufijve”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Ministri i Punëve të Jashtme ka njohur kabinetin qeveritar për konferencën ndërkombëtare që do të organizohet nga Qeveria e Kosovës dhe Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR) ku do të prezantohet stabiliteti i brendshëm i Kosovës.

Në kudër të zhvillimeve diplomatike për Kosovën, ministri Enver Hoxhaj ka theksuar edhe zhvillimin e një konference para investitorëve në Romë, në të cilën ministrat kosovarë do të prezantojnë mundësitë dhe potencialet që ofron Kosova për investime në fusha të ndryshme të ekonomisë.

Me propozim të ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qeveria ka aprovuar krijimin e grupit punues ndërministrorë, i cili do të përcaktojë e metodologjinë, hartimin e analizës së thellë të politikave dhe vlerësimin e implikimit  financiar për pesë vitet e ardhshme për projektligjin për njohjen e statusit dhe të drejtave të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)