Thaçi: Me këtë marrëveshje Serbia ka njohur doganat e Kosovës
Marrëveshja për doganat sipas tij është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj.
"Kjo marrëveshje mbron parimin që Kosova është një zonë unike doganore, në tërë vendin ka aplikim të njëjtë të ligjeve shtetërore, që e rregullojnë këtë fushë."
Me këtë marrëveshje sipas tij vendoset rendi dhe ligji në fushën e doganave në pjesën veriore të vendit, dhe ndalen parregullsitë që kanë ekzistuar për këtë gjë ka thënë kryeministri Thaçi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës
Me këtë marrëveshje, në fushën tregtare është bërë normalizimi i marrëdhënieve mes të dy shteteve. Ndërkohë që në fushën politike, Serbia njohu shtetin e Kosovës në fushën e doganave, ka thënë Thaçi.
Marrëveshja sipas tij parasheh funksionimin e administratës doganore njësoj si në pjesët tjera të vendit. Marrëveshja mundëson inkasimin e plotë të të gjitha detyrimeve doganore, përfshirë akcizën dhe TVSH-në, dhe mjetet e grumbulluara derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës.
"Me këtë marrëveshje zhbëhen strukturat paralele në fushën e doganave, normalizohen aktivitetet doganore si dhe sigurohet një evidencë e plotë mbi aktivitetet tregtare dhe ekonomike", ka theksuar Thaçi.
Ai ka theksuar se kjo marrëveshje mundëson ndalimin e plotë të kontrabandës në vendkalimet kufitare në veri, mundëson stabilizimin e tregut të vendit, ruajtjen e konkurrencës së lirë dhe ofrimin e mbrojtjes institucionale për tregtinë e ligjshme.
Dy ditë më parë Thaçi u takua me liderët e partive politike të cilët i informoi me rrjedhën e proçesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve më Serbinë.
Në një komunikate për shtyp nga zyra e kryeministrit thuhej se, liderët e partive politike e falenderuan Thaçin për informimin e rregullt. Takimi ishte i mbyllur për mediat.
Më herët gjatë muajit Thaçi, i shoqëruar nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku dhe nga koordinatori politik në dialogun me Serbinë, Blerim Shala, raportoi tek presidentja Jahjaga.
Në një komunikate për shtyp të shpërndarë nga Presidenca thuhej se, kryeministri e informoi presidenten për takimin e fundit me homologun serb dhe për marrëveshjet e arritura në secilën fushë.
Presidentja Jahjaga tha se takimi ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel ishte një sukses në arritjen e marrëveshjeve, që kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, si dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy vendeve.
Liderët shtetërorë të Kosovës vazhdojnë ta shohin dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si të vetmen alternativë për normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë që dy shtetet ta ndihmojnë e jo ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugën europiane.