Thaçi: Marrëveshjen e refuzoi Beogradi
Prishtinë, 3 prill - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas rundit të tetë të bisedimeve në Bruksel, ka deklaruar se pozicioni i Kosovës, i prezantuar në këtë takim, është në përputhje me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Ai në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të krijohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ky asociacion në asnjë mënyrë nuk do të ketë kompetenca legjislative apo ekzekutive.
Thaçi ka shprehur keqardhje për qëndrimin e Serbisë në këto bisedime, duke thënë se ky shtet ende heziton dhe dëshiron të përfitojë në kohë. Sipas tij, Beogradi ka mbetur me mentalitet të së kaluarës dhe të ngurtësisë në raport me Kosovën.
Ai ka thënë se Serbia po vazhdon të reflektojë logjikën e izolimit e të konfrontimit, por jo të bashkëpunimit.
Kryeministri kosovar ka shtuar se Serbia për një kohë të gjatë i ka dezinformuar, mashtruar dhe gënjyer qytetarët e saj se mund të ndodhë ndarja e Kosovës, autonomia për serbët në veri, apo ndonjë Republika Sërpska derisa ka theksuar se idetë e tilla janë të papranueshme për Prishtinën zyrtare.
Thaçi ka shtuar se pala kosovare do të angazhohet për hapjen e perspektivës evropiane për Kosovën, si dhe do të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës.
Kryeministri ka shprehur bindjen se institucionet kosovare në bashkëpunim me ato ndërkombëtare do ta shtrijnë autoritetin dhe do t`i shpërbëjnë strukturat paralele në veri.
Ai ka thënë se ndërtimi i fqinjësisë së mirë është në interes të të dyja vendeve, duke shtuar se Serbia nuk është e interesuar për jetën e qytetarëve në veri, por për territore që sipas tij do të jetë e parealizueshme.
Sa i përket ecurisë së dialogut, Thaçi e ka përshkruar ditën e së martës si të gjatë dhe jo të lehtë