Thaçi: Marrëveshja për fusnotën, vendimi i drejtë për shtetin
Kaçanik, 3 mars - Marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës me fusnotë në mekanizmat rajonalë është vendimi më drejtë i mundshëm për shtetin e Kosovës. Kështu ka deklaruar Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së dhe kryeministër i vendit, në takim me aktivisitët kaçanikas të partisë së tij.
"Unë nuk mund të them se është zgjidhja më e përkryer, por është zgjidhja më e balancuar për momentin", është shprehur Thaçi.
Ai ka thënë se "Kosova nuk ka pranuar asgjë me marrëveshjen për përfaqësimin rajonal". "Ne nuk kemi pranuar asgjë. 1244-shi ka ekzistuar nga qershori i 1999-s dhe është në të gjitha dokumentet, duke nisur nga Dokumenti i presidentit Ahtisaari, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Është mbetje e së kaluarës, por Serbia e ka pranuar opinionin e GJND-së dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës", ka theksuar Thaçi.
Ai ka lënë të kuptohet se 1244-shin është duke e mbajtur gjallë Rusia. "Unë nuk mund ta heq 1244-shin pa e hequr Rusia veton (në KS të OKB-së). Unë nuk mund ta bindi Rusinë", ka deklaruar Thaçi. Sipas tij, kundërshtimi i marrëveshjes për përfaqësimin e Republikës së Kosovës me fusnotë në të cilën figuron edhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së do të kishte për pasojë izolimin e Kosovës.
Ai ka thënë se janë në lajthitje ata që e kritikojnë marrëveshjen e arritur për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
"Ka pasur deklarime të gabuara në kontekstin konceptual që nuk përputhen me vlerat dhe sistemet evropiane, por elektorati i çdo partie është për një miqësi të përjetshme me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n", ka thënë Thaçi.
Sipas tij, në të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë janë respektuar modelet dhe standardet evropiane, sikundër edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, Kushtetuta dhe ligjet e vendit.