Thaçi: Ligji zgjidh çështjen e padefinuar të veteranëve të UÇK-së
Prishtinë, 28 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar projektligje, strategji, rregullore dhe vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar angazhimin Qeverisë së Republikës së Kosovës për hartimin dhe miratimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, konkretisht me Shoqatën e veteranëve të UÇK-së, e ka përgatitur Ligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është ligj i vullnetit të plotë të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ligj meritor, shumë profesional, i përgatitur nga vetë anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, e iniciuar nga unë personalisht dhe i mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ai ligj ka kaluar leximin e parë, është bërë dëgjimi publik, ka kaluar në të gjitha komisionet, andaj edhe njëherë i bëjmë ftesë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të aprovojnë Ligjin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sa më shpejtë që është e mundur dhe në asnjë rrethanë, padrejtësisht të mos vonohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Aprovimi i këtij ligji zgjidh njëherë e përgjithmonë çështjen e padefinuar të veteranëve të UÇK-së. Më ketë ligj institucionalizohet vlera e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e luftës çlirimtare dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ligji është i veteranëve, është për veteranët, për familjet e tyre, që do ti gëzojnë të drejtat dhe benificionet. Ne do të mbështesim që ky ligj të përmbyllet sa më shpejtë, mundësisht sot, ose të hënën apo të martën. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat e luftës dhe kemi qëndrimin e njëjtë sa i përket kësaj çështje, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ka theksuar se çdo vonesë në miratimin e këtij ligji është e panevojshme dhe e padrejtë.