Thaçi: Lavdi veprës së Skenderbeut, vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës
Prishtinë, 17 janar - Kryeministri Hashim Thaçi, ka kujtuar datën e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Thaçi, Skenderbeut i është referuar si gjeneral i përmasave evropiane dhe themelues i shtetit mesjetar të Arbërit.
Kryeministri Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebook,ka shkruar se "pesë shekuj e 46 vjet më parë pushoi së rrahuri zemra e gjeneralit të përmasave evropiane, themeluesit të shtetit mesjetar të Arbërit, Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur atlet dhe kapiten i krishterimit, historia njëzet e pesëvjeçare e rezistencës të të cilit u shndërrua në themel të ndërgjegjes sonë kombëtare, ka thënë Thaçi për heroin kombëtar, Skenderbeu.
Këtë rast, Kryeministri Thaçi e ndërlidhi edhe me vrasjen e tre atdhetarëve shqiptarë, vetëm 32 vjet më parë.
Tridhjetë e dy vjet më parë, në tokën gjermane, nga dora e UDB-ës jugosllave u derdh gjaku i tre atdhetarëve shqiptarë: i Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, gjaku i tre heronjve që u bë Flakë e Janarit të Lirisë së Kosovës, frymëzim, vendosmëri dhe vizion i brezave që e bënë realitet çlirimin e Kosovës, shkroi Thaçi në Facebook, duke e përfunduar me fjalinë: Lavdi e përjetshme emrit, jetës dhe veprave të tyre!