Thaçi: Kosovarët qytetarët më aktivë në Internet në Europën Juglindore
Prishtinë, 3 janar - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosovarët janë ndër qytetarët më aktivë në Internet në tërë Europën Juglindore.
Ai në facebook, ka shkruar se në ditët e fundit të vitit 2013, Qeveria morri edhe vendimin për funksionalizimin e Agjencisë për E-qeverisje.
"Kosovarët janë ndër qytetarët më aktivë në Internet në tërë Europën Juglindore. Sipas një studimi të organizatës STIKK, përkrahur nga Ministritë e Jashtme të Norvegjisë dhe Kosovës, mbi 75% të qytetarëve tonë janë tashmë përdorues të Internetit. Kjo njohuri dhe ky entuziazëm ndërmarrës është resurs që duhet shfrytëzuar", ka shkruar ai.
Sipas tij Demografia e re e popullatës dhe diaspora e madhe nënkuptojnë se ka mundësi të mëdha që reforma e administratës publike të zhvillohet së bashku me avansimin teknologjik të mënyrës se si ofrojmë shërbime qytetarëve.
"Inkurajoj të gjitha institucionet shtetërore të jenë të vëmendshëm dhe të adoptojnë e-qeverisjen si pjesë esenciale të qeverisjes së mire, të shpejtë dhe transparente", ka shkruar ai.